Challandes flet para ndeshjes ndaj Bullgarisë: Pres që lojtarët të luftojnë për çdo top

Trajneri i kombëtares së Kosovës ka folur në një konferencë për media për ndeshjen e nesërme që zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë prej orës 20:45.

Challandes ka thënë se është i lumtur për performancën ndaj Danimarkës, por kjo ndaj Bullgarisë është ndeshje tjetër sipas tij dhe pret që lojtarët e Kosovës të luftojnë për çdo top.

“Jam i lumtur me performancën e skuadrës ndaj Danimarkës, por tani është një ndeshje tjetër. Tani është një ndeshje me rëndësi më të madhe, kemi më shumë presion dhe me këtë e hapim garën tonë për të marrë pjesë në EURO 2020. Nesër ne do të luajmë për kualifikim dhe pres më shumë nga lojtarët që të luftojnë për çdo top”, ka thënë Challandes.

Trajneri zviceran po ashtu ka cekur se Kosova është në një situatë të mirë. Ai për Bullgarinë shton se janë një skuadër me përvojë, e cila ka marrë pjesë në shumë komepeticione të tilla.

“Unë e kam cekur edhe më herët, për neve ka qenë e rëndësishme që të kemi një ditë më shumë pushim, sepse ajo nënkupton se kemi më shumë kohë për të pushuar. Ekipi është në një situatë të mirë, nuk mund të flas për Bullgarinë, ata janë një ekip i fortë dhe kompakt. Në skuadrën e Bullgarisë ka mjaft lojtar që kanë eksperiencë në gara të tilla”, ka theksuar Challandes.