Trajneri i Kombëtares së Kosovës në futboll, Bernard Challandes, Foto: FFK
Challandes: Do të përpiqemi të japim më të mirën në këto dy ndeshje
Në prag të ndeshjeve kualifikuese të Kombëtares A për Ligën e Kombeve, kundër Azerbajxhanit dhe Ishujve Faroe, përzgjedhësi Bernard Challandes në konferencë për media foli për gjendjen, synimet dhe të ardhmen e Kombëtares.
Challandes ka thënë se kanë vështirësi në repartin e mbrojtjes por që do të shikojë bashkë me shtabin që në stërvitje të shohin futbollistët më të mirë.
“Unë po punoj që të kemi një ekip të mirë jo vetëm për këto lojë por edhe për të ardhmen. Kosova ka një ekip që mund të themi foshnje 2 vjeçare, por që shpresoj se do të rritet dhe ka një të ardhme jashtëzakonisht të mirë. Unë nuk preferoj që të fiksoj rezultate, sepse nganjëherë fitoret sikur që patëm kundër Shqipërisë mund të jenë të rrezikshme dhe mund të vetëkënaqemi e kjo nuk guxon të na ndodhë”, ka thënë para gazetarëve trajneri i Kosovës, Bernard Challandes.
Challandes shtoi se Kosova ka pasur disa ndeshje miqësore me rezultat të mirë por kjo nuk guxon t’i mashtrojë.
Sa i përket Azerbajxhanit ai tha se është një skuadër e fortë me agresivitet dhe është e ranguar më së larti në këtë grup.
“Prandaj duhet të kemi kujdes. Nuk ka favorit absolut prandaj do të bëjmë më të mirën e mundshme”, ka potencuar Challandes.
Challandes ka folur edhe për futbollistët që mund të bashkohen Kombëtares në të ardhmen si Meritan Shabani e Hadërgjonaj duke thënë se dyert do të jenë të hapura.
“Gjendja e futbollistëve është e mirë dhe nuk kemi asnjë telashe sa i përket kësaj.”, ka thënë Challandes.