Buffon tregon pse e zgjodhi numrin 77 në fanellën e Juventusit

Gianlugi Buffon sot e kompletoi kthimin e tij në Juventus edhe zyrtarisht.

Portieri italian u rikthye te “Zonja e Vjetër” pasi u largua në vitin 2018-të në drejtim të Paris Saint Germain.

Buffon ka thënë para mediave se sot ishte i emocionuar shumë dhe ky ishte vendimi i duhur për të.

“Sot jam i emocionuar shumë, të kthehem në Juventus është vendimi i duhur. Kam biseduar me Sarrin, më ka lënë përshtypje të mira. E kam lënë një ekip të fortë, jam kthyer dhe kam gjetur një ekip edhe më të fortë”, ka thënë legjenda e Juventusit.

Ai po ashtu e ka komentuar se si do të jetë të luaj me Cristiano Ronaldon.

“Cristiano Ronaldo? Do të jetë shumë e bukur të luaj me të. Futbollistë me përvojën dhe historinë time ta mbyllin kështu karrierën është dhuratë fantastike. Jam kthyer sepse ftesa nga një Zonjë nuk mund të refuzohet, Jam kthyer sepse kjo është shtëpia ime” është shprehur Buffon.

41 vjeçari ka befasuar të gjithë me numrin e fanellës, pasi e ka zgjedhur numrin 77, ai ka treguar se këtë zgjedhje e ka bërë pasi ky numër i kishte sjellur fat edhe sa ishte pjesë e skuadrës së Parmës.

“Numri i fanellës është 77, në Parma më ka sjellë fat, pastaj jam transferuar në Juventus. Bë dutët e fundit, Szczesny më ofroi fanellën me numrin 1, pastaj Giorgio Chiellini më ofroi shirtin e kapitenit, por unë nuk u ktheva këtu për të marrë diçka, unë jam këtu për të dhënë kontributin tim në Juventus”, ka përfunduar italiani.