Foto: KALLXO.com

Bie interesimi për librin, kosovarëve më shumë u pëlqen filmi

Interesimi për librin sipas Agjencisë së Statistikave ka shënuar rënie gjatë 2017-të në raport me një vit më parë, por interesimi për të parë filma  sipas ASK-së është rritur dukshëm.

KALLXO.com ka analizuar këto të dhëna ku vërehet se luhatje të interesimit pati edhe në fusha të tjera të kulturës.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikoi raportin “Statistikat e Kulturës 2017”.  Në të dhënat e raportit të ASK-së përmenden shfaqjet e mbajtura në teatër.

“Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, rezulton se numri i shfaqjeve në Teatrin Kombëtar në Prishtinë ishte 161 shfaqje premierë dhe reprizë, ndërsa numri i shikuesve ishte 15 175. Numri i shfaqjeve të realizuara në Teatrin e fëmijëve Dodona ishte 102 shfaqje premierë dhe reprizë, ndërsa numri i shikuesve ishte 5 876. Numri i shfaqjeve të realizuara në Teatrin Oda ishte 43 premiera dhe repriza, ndërsa numri i shikuesve ishte 8 243”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Sipas ASK-së, numri i ekspozitave të realizuara në Galeritë e Arteve ishte 38, ndërsa numri i vizitorëve ishte 15 mijë e 872.

Në krahasim me raportin e vitit 2016-të shënon rritje interesimi për ekspozita . Në 2016-ën numëroheshin 36 ekspozita të realizuar me 14 mijë e 582 vizitorë.

Numri i filmave të shfaqur në kinemanë ABC ishte 72, prej tyre 5 filma vendorë dhe 67 filma të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 10 mijë e 791.

ASK ka publikuar të dhëna edhe për transmetimin e filmave në kinematë tjera.

“Numri i filmave të shfaqur në kinemanë CINEPLEXX ishte 181, prej tyre 2 filma vendorë dhe 179 filma të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 338 963. Numri i filmave të shfaqur në kinemanë DOKU-KINO DHE DOKUFEST ishte 323, prej tyre 27 filma vendorë dhe 296 filma të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 21 554”, bën të ditur komunikata.

Sipas të dhënave të këtij raporti numri i përgjithshëm i filmave për vitin 2017 ishte 576 me gjithsej 371 mijë e 8 shikues. Në krahasim me vitin 2016 që numëronte 369 filma të shfaqur dhe me gjithsej 61 mijë e 558 vizitorë paraqet një rritje bukur të madhe të interesimit të qytetarëve.

Në komunikatën e ASK-së për vitin 2017-të thuhet se fondi i librave në biblioteka ishte 1 782 945, ndërsa numri i lexuesve ishte 158 176. Nëse këto të dhëna krahasohen me një vit më parë që numëronte mbi 1 milion 793 mijë e 73 libra me 278 mijë e 201 lexues, i bie se librit iu pakësuan mbi 12 mijë lexues më  pak. Përderisa mbi 10 mijë libra më pak u pakësuan raftet e librave në bibliotekat e Kosovës.

Fondi i librave në bibliotekave të Kosovës është përafërsisht e barabartë me numrin e popullsisë në Kosovë.

Numri i muzeve dhe shtëpive muze ishte 72, ndërsa numri i vizitorëve ishte 71 335. Ky numër ka pësuar rënie në raport me një vit më parë. Në vitin 2016, numri i muzeve dhe shtëpive ishte 64, me 104 mijë e 935 vizitorë.