Arineta Mula në Himalaje - Foto: Rtv21

Arineta Mula Pushton Himalajet për 8 Ditë

Alpinistja shumë e njohur, Arineta Mula, i dha një emër të mirë Kosovës, kur majën e Ama Diblam në Himalaje, që zakonisht duhet 4 javë për ta ngjitur, ajo e ngjiti për 8 ditë.

Kjo ngjitje shumë e shpejtë ishte zgjedhje e vetë Arinetës, pasi sipas saj ajo ndihej mirë, si fizikisht edhe mentalisht, andaj e tëra përfundoi për 8 ditë.

Nëpër të gjitha udhëtimet e Arinetës në majat më të larta të botës, ajo ka me vete flamurin e Kosovës, shqiponjën dykrenare e në një rast ajo u pa edhe me emblemën e Policisë së Kosovës, por jo gjithmonë përkrahjen që ajo i jep shtetit, shteti ia kthen në të njëjtën mënyrë, shkruan rtv21.tv.

Mula tregon se pas ekspeditës së majës më të lartë në botë, Everestit nuk ka pasur një eksperiencë të mirë me përkrahjen institucionale, pasi ende asaj nuk i është shpaguar mundi që ka bërë për të ngjitur majën.

Megjithatë bjeshkatarja e famshme thotë se nuk do të ndalet, mirëpo do të dëshironte që mbështetja e institucioneve të ishte më e madhe për të gjithë sportistët kosovarë.

Përkrahja gjithsesi së paku morale nuk i ka munguar nga të gjithë ata që gjendeshin në Nepal, pasi Ama Dablam ishte ekspedita e dytë e Mulës në Nepal.

Ajo deklaroi se për të dytën herë atje është ndjerë si në shtëpi.

Këtë afërsi të vendasve në fshatrat e larta të Nepalit, Arineta ua kishte kthyer duke u bërë dhurata shkollës që ishte në një pjesë shumë të lartë drejt majës Ama Dablam, duke i gëzuar kështu 192 nxënësit e asaj shkolle.

Arineta ishte mysafire në emisionin “Bon bon”.

Më poshtë mund t’i gjeni disa foto nga ekspeditat e Arinetës. /21Media