Ardian Ismajli gjatë stërvitjeve me Kombëtaren e Shqipërisë Foto: FSHF

Ardian Ismajli : Jam i privilegjuar që luaj për shqiptarët dhe për flamurin ‘Kuq e Zi’

Lojtari që u largua nga kombëtarja e Kosovës për tu bërë pjesë e kombëtares së Shqipërisë është rrëfyer ekskluzivisht për KALLXO.com lidhur me arsyet e ndërrimit të kombëtares dhe i përgjigjet kritikave për këtë.

Ish-Presidenti i ndjerë tani i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, në maj të vitit 2018-të, kishte qenë si mysafir i Hajduk Splitit me një qëllim të caktuar, për të biseduar me futbollistin Ardian Ismajli dhe menaxherin e tij Enver Raça, për t’ia konfirmuar të ardhmen e lojtarit në kombëtaren e Kosovës.

Ardian Ismajli dhe Fadil Vokrri në muajin maj të vitit 2018-të në Split të Kroacisë

Gjatë atij takimi në Kroaci, futbollisti Ardian Ismajli ia kishte konfirmuar Fadil Vokrrit, se e ardhmja e tij është Kosova dhe t’i mbronte ngjyrat e ‘Dardanëve’ edhe për Kombëtaren A, pasi ka qenë Kapiten i Kosovës U21 për ndeshjet e kualifikimeve për Evropianin 2019.

Ardian Ismajli dhe Sekretari i FFK-së Eroll Salihu, duke e festuar barazimin ndaj Gjermanisë, nga ndeshja Kosova U21-0 -0 Gjermani U21

Mirëpo, Ardian Ismajli, tani ka ndërruar kombëtare, duke pranuar ftesën e Shqipërisë, për ndeshjen ndaj Skocisë e vlefshme për Ligën e Kombeve.

Pas shkruajes së Ismailit, ka pasur reagime të shumta nga njerzit e sportit, e njëri ndër ta më i ashpëri ka qenë nga Sekretari i FFK-së Eroll Salihu, i cili ka thënë se Ardian Ismajli ka bërë shantazh të pastër që të ishte me çdo kusht në formacionin bazë të Kosovës.

E për t’i dhënë përgjigje të gjitha këtyre gjërave, Ardian Ismajli, në një intervistë për KALLXO. com, i ka zbuluar këto gjëra dhe ka treguar se përse e ka zgjedhur Shqipërinë para Kosovës.

Ardian Ismajli ka treguar se cila ka qenë arsyeja qe ka vendosur për ta përfaqësuar Kombëtaren e Shqipërisë. Ai ka thënë se është privilegj që do të luaj për shqiptarët dhe për flamurin kuq e zi.

“Ka qenë një ëndërr e imja që t’i përfaqësoj të gjithë shqiptarët, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Preshevë, Mali i Zi dhe të gjithë diasporën. Për mua do të thotë se jam i privilegjuar që luaj për shqiptarët dhe për flamurin e kuq e zi e që i përfaqëson të gjithë shqiptarët”, ka thënë fillimisht Ardiani.

Ai e ka zbuluar një detaj ekskluziv për KALLXO.com, duke thënë se që nga marsi i këtij viti ka pasur kërkesa nga Shqipëria, që të jetë pjesë e formacionit të saj. Tutje Ismajli ka treguar se trajneri i Shqipërisë Christian Panucci, e pëlqen stilin e tij të lojës dhe ka dashur që të jetë nën urdhërat e tij.

”Nga marsi i këtij viti kam pasur kërkesë që të jem pjesë e formacionit kuq e zi.  Panucci e ka pëlqyer stilin tim  të lojës dhe shumë ka dashur të jem nën urdhërat e tij”, tregon Ismajli.

Ismajli ka komentuar edhe fjalët e Sekretarit të FFK-së, Eroll Salihut i cili në mediat kosovare ka thënë se Ardiani kishte bërë shantazh duke kërkuar që të jetë pjesë e formacionit për Kosovën.

“Më vie shumë keq kur dëgjoj deklarata dhe atë pikërisht nga Eroll Salihu, sepse ai më njeh mirë dhe e dinë mirë se çka ka ndodh, por do të ia lejmë kohës. Me vdekjen e Vokrrit, ndryshuan gjërat në FFK, nuk e kam thyer premtimin, por u thye puna e të ndjerit”, specifikon lojtari i Hajduk Splitit.

Lojtari më i ri i Shqipërisë, ka treguar se bashkëlojtaret e tjerë te kombëtarja kuq e zi, e kanë pritur mirë dhe e kanë përkrahur.

“Po shumë mirë më kanë pritur dhe më kanë uruar mirëseardhje në grup dhe janë duke më përkrahur”, ka thënë ai.

Ardiani ka hezituar të tregoj se a do të jetë pjesë e formacionit startues për ndeshjen e së shtunës që luhet prej orës 20:45 në stadiumin  “Loro-Boriçi Stadium” në  Shkodër, duke thënë se ajo është punë e trajnerit.

“Nuk kam përgjigje sa i përket çështjes së formacionit, është punë e trajnerit”, ka thënë Ardian Ismajli.

 

Ardian Ismajli gjatë stërvitjeve me Kombëtaren e Shqipërisë