Foto: BBC/PA

Archie Harrison, emri i fëmijës së porsalindur në familjen mbretërore

Duka dhe dukesha e Sussex e kanë quajtur djalin e tyre të porsalindur Archie Harrison Mountbatten-Windsor, raporton BBC.

Duke prezantuar atë në kamera më herët gjatë ditës, Meghan tha: “Ai ka temperamentin shumë të ëmbël, ai është vërtet i qetë, për këtë kemi ëndërruar”.

Derisa ata qeshnin, Princi Harry tha: “Nuk e di se kujt i ka ngjarë”.

Njoftimi erdhi pasi Mbretëresha dhe Duka i Edinburgut u takuan me më të riun prej nipave e mbesave në kështjellën Windsor.

Duke vendosur ta quajnë djalin e tyre Archie Harrison Mountbatten-Windsor, Harry dhe Meghan kanë zgjedhur të mos përdorin një titull për fëmijën e tyre të parë.

Si djali i parë i një duke, Archie mund të ishte bërë Earl of Dumbarton – një prej titujve të Harry-it – ose do të ishte Lord Archie Mountbatten-Windsor, apo thjesht do të ishte Master Archie Mountbatten-Windsor.

Foto: BBC/PA

Duke folur për ditët e tyre të para si prindër, Meghan tha: “Është magjike, është goxha e mahnitshme. Kam dy djemtë më të mirë në botë, kështu që unë jam shumë e lumtur”.

Duka shtoi: “Është e mrekullueshme. Të jesh prind është e mahnitshme.

“Kanë kaluar vetëm dy ditë e gjysmë, tri ditë, por jemi aq të lumtur”.

Kur është pyetur se cilit prind i ngjan dëmija më shumë, Harry tha: “Shumë njerëz thonë se foshnjat ndryshojnë shumë gjatë dy javëve të para.

“Në thelb po monitorojmë se si ndodh procesi i ndryshimit gjatë këtij muaji. Por ai po ndryshon çdo ditë, kështu që kush e di.”

Archie Harrison: Kuptimi prapa emrit

Një zgjedhje e papritur, Archie nuk ishte ndër emrat favoritë, si Alexander, Arthur dhe Albert.

Sa i përket emrit, Archie nuk ka asnjë konotacion mbretëror britanik – dhe Harrison gjithashtu është një emër krejtësisht i ri për Familjen Mbretërore.

Archie do të thotë “i sinqertë”, “i guximshëm” – dhe është më popullor në Britani se ShBA. Ishte fillimisht një formë e shkurtuar e Archibald, por tani është duke u përdorur shpesh si një emër në vetvete.