Arber Zeneli duke e festuar golin e shënuar ndaj Azerbajxhanit / Foto: Atdhe Mulla. Kallxo.com

Arbër Zeneli, djaloshi me origjinë nga Mitrovica që po bën krenarë të gjithë (FOTO)

Arbër Zeneli i kishte shënuar dy gola në miqësoren e Kosovës me Shqipërinë, në minutat ’21 dhe ’51, ku kishte fituar Kosova me rezultat 3-0.

I lindur më 25 shkurt të vitit 1995, në qytetin Säter të Suedisë, Arbëri i ka prindërit nga Kosova, konkretisht nga Selaci i Mitrovicës.

Me futboll kishte nisur të merrej që në fëmijëri. Ai kishte nisur të luante për ekipin e Hälsinggården, por në moshën 12 –vjeçare kishte ndërruar ambient duke u transferuar tek akademia e Elfsborgut.

Goli më i rëndësishëm si lojtar për Zenelin kishte ardhur në ndeshjen ndërmjet Elfsborgut dhe Brommapojkarna, në finale të Kupës së Suedisë për U17.

Arbëri e kishte shënuar golin e fitores.

Arber Zeneli sa ishte pjesë e Elfsborgut Foto: Jörgen Jarnberger / BILDBYRÅN / Cop 112

Zeneli debutimin e tij si lojtar  profesionist në ekipin e parë të Elfsborgut e kishte bërë më 1 mars të vitit 2014.

Djaloshi me origjinë nga Kosova, sezonin e parë me ekipin A të Elsfsborgut kishte luajtur 16 ndeshje dhe kishte shënuar një gol.

Pas sezonit të mirë në vitin 2014, me Elfsborgun, për Zenelin kishin shprehur interesim shumë skuadra nga Anglia dhe Holanda. Por, ajo që arriti t’i marrë shërbimet e tij ishte Heereneveni për 2 milionë euro në vitin 2015-të me një kontratë prej 3.5 vite.

Arbëri debutimin e tij në ligën holandeze “Eredivise” e bëri me 16 janar të vitit 2016. Ndërsa vetëm në paraqitjen e tij të dytë ai shënoi gol më 23 janar.

Arber Zeneli duke e festuar golin më skuadrën e Heerneven

Nuk duhet të harruar se Arbër Zeneli kishte mbrojtur ngjyrat e kombëtares së Suedisë për grupmoshat U17, U19 dhe U21.

Për grupmoshat U17 kishte bërë shtatë paraqitje, duke shënuar një gol.

Arbër Zeneli duke luajtur në ndeshjen Uells U17- Suedi U17 me 12 maj të vitit 2011. (Photo by David Rawcliffe/Propaganda)

Ndërsa për grumposhat U19, kishe bërë plot 17 paraqitje duke shënuar 5 gola.

E për grupmoshat U21, kishte bërë 10 paraqitje dhe kishte shënuar vetëm një gol.

Arbër Zeneli sa ishte pjesë e Suedisë U21

Momenti historik i Arbër Zenelit ishte 6 tetori i vitit 2016-të, kur kishte debutuar për Kosovën në ndeshjen me Kroacinë, e cila luhej për kualifikimet e Kampionatit Botëror ‘Russia 2018’, ku Kosova humbi me rezultat prej 6-0.

Zeneli debutimin e tij e kishte bërë nën udhëheqjen e trajnerit Albert Bunjaki, në moshën 21 vjeçare e shtatë muaj e 11 ditë.

Arbër Zeneli në debutimin e tij për Kosovën kundër Kroacisë me 6 tetor të vitit 2016

Golin e parë për Kosovën Arbër Zeneli e kishte shënuar me 29 maj të vitit 2018-të në miqësoren Kosovë- Shqipëri, që ishte zhvilluar në Zvicër.

Këtë ndeshje Kosova e kishte fituar me rezultat prej 3-0, ku Zeneli i kishte shënuar dy gola, në minutat e ’21 dhe ’51.

Momenti i golit të Arbër Zenelit kundër Shqipërisë, në foto janë, Arber Zeneli, Frederic Veseli dhe Etrit Berisha

Golin e tretë për Kosovën, Arbëri e kishte shënuar në ndeshjen e 10 shtatorit të vitit 2018-të, ndaj Ishujve Faroe, në minutën e ’50, në fitoren e Kosovës prej 2-0.

Arber Zeneli golin e shënuar ndaj Ishujve Faroe, ia kishte dedikuar ish-kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri

E mbrëmja magjike për Arbër Zenelin ishte 20 nëntori në stadiumin “Fadil Vokrri”, në ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Azerbajxhanit.

Kosova në këtë ndeshje shënoi fitore prej 4-0, dhe më meritori ishte Zeneli, i cili shënoi tre gola, në minutat ‘2, ’50 dhe ’76.

Arber Zeneli duke e festuar golin e shënuar ndaj Azerbajxhanit

Arbëri njëherësh bëhet edhe lojtari i parë i Kosovës që shënon tre gola, apo het-trick, prej se është pranuar Kosova në UEFA e FIFA.

Pra, Arbër Zeneli nga 15 ndeshje për Kosovën ka shënuar gjashtë gola deri më tani.

Vlera momentale e Arbër Zenelit, sipas “Transfermarkt”, është 5.5 milionë euro.