Analizë: Rritja e futbollistëve të Kosovës (FOTO)

Kombëtarja e Kosovës që 14 ndeshje nuk din për humbje në të gjitha kompeticionet.

“Dardanët” janë duke impresionuar të gjithë futbolldashësit në të gjithë botën me lojën e tyre, duke qenë shpesh-herë tema kryesore në mediat e mëdha ndërkombëtare.

Fillimisht në Ligën e Kombëve, në Ligën D, Grupi 3, dolën të parët me 14 pikë nga gjashtë ndeshje, duke i shënuar katër fitore, dy barazime dhe asnjë humbje.

I shënuan 15 gola, ndërsa i pranuan vetëm dy të tillë.

Se djelmoshat e drejtuar nga trajneri Bernard Challendes janë në ngritje e sipër po e dëshmojnë edhe sukseset në Grupin A, për kualifikimet për “Euro 2020”.

Nga tri ndeshje, Kosova ka arritur një fitore dhe dy barazime.

Tani Kosova në përbërjen e saj ka lojtarë të cilët janë shndërruar në lider të padiskutueshëm.

Pikërisht sot qendërsulmuesi nga Kosova, Vedat Muriqi u zyrtarizua te skuadra e Fenerbahçes nga Rizespori.

Muriqi i kushtoi Fenerbahçes 3.5 milionë euro, falë formës së mirë që pati me Rizesporin në sezonin e kaluar.

Ish-sulmuesi i skuadrës së Lirisë së Prizrenit, ka pësuar rritje të madhe në tregun e vlerësimeve për futbollist.

Muriqi në janar të vitit 2016-të, kur edhe e nisi rrugëtimin në këtë vit me Kosovën, kartoni i tij si futbollist kushtonte 800 mijë euro te skuadra turke Girensunspor.

Ndërsa tani brenda tri viteve, sulmuesi shtatlartë është rritur profesionalisht dhe vlera e tij në tregun e transferimeve vlerësohet 2.5 milionë euro, plus shtoja tani ekipin e Fenerbahçes që nëse tregon formë të mirë, brenda një sezoni kjo vlerë e tij i trefishohet.

Muriqi deri më tani i ka luajtur 20 ndeshje për Kombëtaren e Kosovës duke i shënuar pesë gola.

 

Një lojtar tjetër kyç i Kosovës po ashtu ndërroi skuadër këtë afat kalimtar të transfereve.

Amir Rrahmani nga Dinamo Zagrebi u transferua te skuadra e njohur italiane Hellas Verona.

Verones, Rrahmani i kushtoi 2.1 milionë euro.

Rrahmani kishte debutuar me Kosovës me 5 shtator të vitit 2016-të si 22 vjeçar e gjashtë muaj e 12 ditë.

25 vjeçari në vitin 2016 te RNK Spliti e kishte vlerën në tregun e transferimeve 1 milionë euro.

Tani vlera e Rrahmanit cilësohet 1.5 milionë euro dhe kjo falë paraqitjeve të mira me Kosovën.

Qendërmbrojtësi kosovar tani do të luaj në ligën e cila njihet si njëra prej ligave më të forta për repartin e mbrojtjes në Serie A, do të përballet me lojtarë si Cristiano Ronaldo e Icardi, të cilët janë sulmuesit më të mirë në botë.

Me Kosovën deri tani Rrahmani i ka luajtur 23 ndeshje duke i shënuar katër gola dhe një asistim duke u shndërruar si mbrojtësi kryesorë te Kosova.

Lojtarin më më vlerë Kosova e ka Milot Rashicën, djaloshin nga Vushtrria.

Rashica aktualisht është pjesë e Werder Bremenit, duke kaluar në formë jetësore, bile u zgjedh edhe lojtari më i mirë i skuadrës gjermane për sezonin e fundit.

Ashtu si Rrahmani e Muriqi, edhe Rashica kishte debutuar me Kosovën me 5 shtator të vitit 2016 si 20 vjeçar e dy muaj e tetë ditë.

Vlera e Rashicës në tregun e transferimeve në vitin 2016-të ishte 2 milionë e 750 mijë euro, në atë kohë ishte pjesë e Vitesses.

Tani vlera e Milotit është 20 milionë euro, i cili momentalisht është edhe lojtari me vlerën më të madhe në Kosovë.

23 vjeçari deri më tani i ka luajtur 24 ndeshje për Kosovën dhe i ka shënuar katër gola dhe pesë asistime duke qenë njëri prej lojtarëve kyç në kombëtare në fazën e sulmit.

Një lojtar i cili i jep Kosovës ritëm është Arbër Zeneli.

Zeneli u transferua te skuadra franceze Reims nga Heerneveen për 4 milionë euro.

24 vjeçari nga Mitrovica debutimin e tij me Kosovën e bëri me 6 tetor të vitit 2016 nën drejtimin e Albert Bunjakit.

Vlera e Arbër Zenelit në tregun e transferimeve në vitin 2016-të ishte 2 milionë euro, vit ky kur edhe kishte debutuar me Kosovën.

Vlera e Zenelit u rrit vazhdimisht së bashku me paraqitjet e tij të mira me ekipet e tij dhe me Kombëtaren e Kosovës.

Tani vlera e Zenelit në tregun e transferimeve është 6 milionë euro, pra prej debutimit të tij me Kosovën, Zenelit vlera iu është rritur për 4 milionë euro.

Mitrovicasi deri më tani i ka luajtur për Kosovën 18 ndeshje në të gjitha kompeticionet duke i shënuar shtatë gola dhe një asist.

Arber Zeneli duke e festuar golin e shënuar ndaj Azerbajxhanit / Foto: Atdhe Mulla. Kallxo.com

Një lojtarë me prespektiv i cili e kishte zgjedhur Kosovën pa menduar dy herë ishte mesfushori ofanziv Bersant Celina.

Celina ka pasur një sezon fantastik me Swansean dhe tani ai pritet që të ndërroj ekip në këtë afat kalimtar të verës.

22 vjeçari kishte debutuar me Kosovën me 3 qershor të vitit 2016-të vetëm si 19 vjeçar.

Celina në kohën kur kishte debutuar me Kosovën ishte pjesë e Twentes në kampionatin holandez dhe vlera e tij në tregun e transferimeve ishte 1.5 milionë euro.

Tani për gjatë tre viteve, vlera e Celinës në tregun e transferimeve është rritur dukshëm duke shkuar në 5 milionë euro më e larta deri më tani në karrierën e tij si futbollist.

Bersanti deri më tani për Kosovën i ka luajtur 13 ndeshje dhe e ka shënuar një gol në miqësoren ndaj Danimarkës.

Foto: Swansea/Twitter

Pra, Kosova, ka edhe lojtarë të tjerë të talentuar e vlera e tyre po i rritet dita e ditës.

Aktualisht vlera e Kosovës është 56 milionë euro e 800 e 80 mijë euro.