Foto: Atdhe Mulla/Kallxo.com

Analistët tregojnë pse humbi Feronikeli

Feronikeli të martën mbrëma e pati mundësinë e artë që ta shkruajë historinë për futbollin kosovar, por edhe historinë si klub, që të kalojnë në rundin e dytë të fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve.

Por, kampionët e Kosovës këtë mundësi nuk e shfrytëzuan, pasi u eliminuan nga skuadra uellsiane TNS me rezultat 1-0, humbje e cila i kushtoi me eliminim nga Liga e Kampionëve.

Niklit mbrëmë pos fitores i mjaftonin edhe barazimet me rezultat 0-0 dhe 1-1, mirëpo nuk i shfrytëzoi as këto opsione dhe u eliminua.

Tani djelmoshat e drejtuar nga Zekirija Ramadani do të luajnë në rrethin e dytë të Europa Leagues me fituesin e ndeshjes Sutjeska – Slovan Bratislava.

KALLXO.com ka kontaktuar analistë dhe trajner të futbollit për ta parë se ku ishte problemi te Feronikeli mbrëmë që nuk arriti ta kalojë këtë fazë, ku gaboi skuadra dhe a ishte e gabuar qasja e lojës së tyre mbrëmë.

Astrit Fazliu deklaroi pas ndeshjes se këtë ndeshje e kishin marrë me seriozitetin më madh dhe qëllimi i tyre kishte qenë që të shënojnë gol, mirëpo sipas tij fati i mungoi Feronikelit mbrëmë.

Kurse Zekirija Ramdani, tha se skuadra e drejtuar nga ai luajti aq sa pati mundësi dhe i erdhi keq për eliminimin prej lojtarëve dhe tifozëve.

Trajneri dhe analisti i futbollit Genc Sermaxhaj thotë se Feronikeli ishte i pafat në ndeshjen e mbrëmshme. Sipas tij, një faktor i rëndësishëm që pësuan humbje mbrëmë kampionët e Kosovës ishte rezultati në Uells i cili i mashtroi.

“E përgëzoj Feronikelin për lojën e bukur dhe angazhimin që kanë dhënë në ndeshjen e mbrëmshme, ishin të pafat për të shënuar gol dhe pësuan pas gabimit në mbrojtje. Pavarësisht se në ndeshjen e parë morën rezultat pozitiv, them se ai rezultat i mashtroi futbollistët të cilët e kanë pasur opsion edhe barazimin në këtë ndeshje për të kaluar tutje dhe kështu e humbën ndeshjen”, thotë Sermaxhaj për KALLXO.com.

Sermaxhaj thotë se durimi iu shpërblye klubit The New Saints mbrëmë, pasi e kërkuan golin dhe në fund e gjetën. Ky gol ishte i vlefshëm me kualifikim në rundin tjetër.

“Ekipi uellsian luajti mirë taktikisht dhe kërkonte të vinte sa më shpejt te goli, kishin durimin e mjaftueshëm dhe për të u shpërblyen”, shtoi ai.

Ish-futbollisti i disa skuadrave kosovare tha se skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani luajti jo mirë dhe kjo lojë nuk është e pëlqyeshme në ndeshje të tilla.

Për Sermaxhajn, Feronikeli mbrëmë është dashur më shumë ta kërkojë golin se sa ta mbajë topin e të kërkonin të mbaronte ndeshja me barazim.

“Feronikeli në momente vepronin më shpejt se sa duhej dhe rastet që i vinin i shpërdoronte, por mënyra se si Nikli luajti ishte e pëlqyeshme, luanin me pasime të sakta, mbanin shpesh herë topin në këmbë dhe tregonin një pjekuri në momente të caktuara të lojës. Ndoshta më shumë është dashur të kërkojnë golin sesa të përpiqeshin që ndeshjen ta ruanin me barazim, sepse ekipet me ma përvojë në gara të tilla dinë të shënojnë edhe atëherë kur nuk pritet. Kemi mundur shumë lehtë ta kalojmë edhe këtë rund sikur të ishin më të koncentruar prandaj jam i kënaqur me atë se çfarë tregoi Nikli mbrëmë. Presim që në ndeshjet e Europa League tani të shkojnë sa më larg për suksese të reja”, potencon Sermaxhaj.

Kurse analisti i futbollit Ardian Llumnica thotë se Feronikeli nuk duhej ta merrte këtë ndeshje si të lehtë, sepse në Ligën e Kampionëve nuk ka komoditet.

“Edhe më herët e kam potencuar që skuadrën uellsiane nuk duhet ta merrnin si të lehtë. Feronikeli duhej të bënte më shumë kujdes sepse si mysafir ka shënuar në minutat e fundit në Uells. Ky kompeticion nuk lë komod asnjë skuadër dhe di t’i kthejë lehtë në disfavor edhe përparësitë eventuale nga ndeshja e kaluar”, ka thënë Llumnica për KALLXO.com.

Llumnica potencon se te Feronikeli gjatë lojës në disa raste nuk është parë qasja e tyre për fitore.

Bile ai thotë se prej fillimit të lojës është dashur të luajë sulmuesi brazilian Jean Carioca, i cili ishte në bankën e rezervistëve në këtë ndeshje.

“Nikli ndeshjes është dashur t’i qaset vetëm për fitore, por kjo gjë shpesh herë gjatë ndeshjes apo në disa etapa të saj nuk u vërejt aq në fushë. Mendoj që braziliani Jean Carioca është dashur të inkuadrohet më herët, mbase edhe të filloj si startues, sepse është futbollist cilësor dhe e bën diferencën në situata një kundër një me shpejtësinë dhe teknikën që e ka”, shton Llumnica.

Sipas Llumnicës Nikli duhet të ndryshonte stilin e lojës, që mos të luante me topa të gjatë në qendër dhe t’i jepte më shumë hapësira për lojë Argjend Malajt dhe Jetmir Topallit.

“Po ashtu Nikli nuk është dashur të luajë shumë me topa të gjatë në qendër, sepse armën më të fortë të tyre sulmuesin Kastriot Rexha kundërshtari veçse e mbuloi herët dhe kjo ka qenë e pritur dhe lehtë e evidentueshme nga kundërshtari. Mendoj se do duhej të kishte hapësirë më shumë edhe për Argjend Malajn dhe Jetmir Topallin, futbollist cilësorë që edhe në këtë ndeshje u vërejt ritmi i lojës kur u inkuadruan. Edhe përkundër eliminimit Feronikeli këtë vit ka qenë emblemë e futbollit kosovar dhe ka bërë paraqitje të mira për çka duhet me komplimentu skuadrën nga Drenasi”, ka përfunduar Llumnica.

 

Ardian Llumnica