Aliti: Nëse nuk besojmë në fitore ndaj Malit të Zi ma mirë mos të udhëtojmë fare

Kombëtarja e Kosovës sot e ka zhvilluar stërvitjen e fundit në stadiumin “Fadil Vokrri”, përpara se të nisen për në Podgoricë për ndeshjen ndaj Malit të Zi të premten në mbrëmje.

Qendërmbrojtësi Fidan Aliti pas stërvitjes ka folë në konferencë për media për dy ndeshjet e ardhshme ndaj Malit të Zi dhe Bullgarisë.

Aliti ka thënë se janë të fokusuar në ndeshjen ndaj Malit të Zi dhe nuk do ta kenë të lehtë ndaj tyre.

“Ne tani jemi të fokusuar në ndeshjen me Malin e Zi. Nuk do të jetë e lehtë. Kemi respekt për kundërshtarin, por ne i dimë kualitetet tona. Stërvitjet kanë qenë shumë intensive dhe djemtë kanë punuar me përkushtim, prandaj besoj se do të hyjmë në ndeshje me mentalitet pozitiv”, ka thënë qendërmbrojtësi i Kosovës.

Ai e ka komentuar edhe faktin se kjo ndeshje do të luhet pa tifozë, mirëpo për të nuk paraqet problem, pasi edhe në të kaluarën ka luajtur pa tifozë sa ka qenë lojtarë i Skenderbeut.

Ndeshja në Podgoricë pa tifozë? Kam luajtur ndeshje të tilla me Skenderbeun në Ligën e Evropës. Është ndeshje e veçantë sepse çdo zë ndihet në fushë. Megjithatë mund të jetë pozitiv sepse komunikimi mes lojtarëve është më i lehtë sepse s’ka zhurmë të shikuesve dhe kur e mendojmë se luajmë si mysafirë mund të jetë pozitive për ne. Kam plotësisht besim te djemtë tanë. Nëse nuk besojmë në fitore ndaj Malit të Zi ma mirë mos të udhëtojmë fare. Unë besoj fuqishëm se do të kemi gjasa të mëdha për ta fituar ndeshjen”, ka shtuar Aliti.