Stadiumi Fadil Vokrri

Ahmeti: Stadiumi 'Fadil Vokrri' nuk është as i Qeverisë as i Federatës, u takon qytetarëve të Prishtinës

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar lidhur me vendimin e Federatës së Futbollit të Kosovës, e cila ka vendosur që ndeshja e Superligës, Gjilani- Drita, të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Në reagimin e tij, i pari i kryeqytetit thotë se “Fadil Vokrri” është i qytetarëve të Prishtinës dhe se në të mund të luhen vetëm ndeshje të kombëtares së Kosovës dhe të FC Prishtina.

Ahmeti kërkon nga Ministria që sa më shpejt t’ia kalojë këtë stadium Komunës së Prishtinës.

Kundër zhvillimit të ndeshjes Gjilani-Drita, e vlefshme për Superligën e Kosovës, kanë reaguar edhe tifozët “Plisat”.

Reagimi i Shpend Ahmetit vjen pas raportimit të KALLXO.com se ndeshjet në stadiumin “Fadil Vokrri” po zhvillohen ndonëse nuk është bërë ende pranimi teknik pas rinovimit të tij.

Skandaloze: Stadiumi ‘Fadil Vokrri’ pa pranim teknik

Ky është reagimi i plotë i Shpend Ahmetit:

Stadiumi i Prishtinës është pronë e Komunës së Prishtinës. Qe nga renovimi qeveria nuk e ka bërë pranimin teknik dhe si pasojë objekti i renovuar nuk është dorëzuar te Komuna.

Objekti ka filluar të ketë probleme ende pa u bërë pranimi. Për shkak të rëndësisë së ndeshjeve ndërkombëtare të Kosovës nuk kemi deklaruar asgjë në lidhje me këtë.

Por tani, dikush ka filluar të ndajë lokale e zyre e Federata ka vendosur që të luhen edhe ndeshjet tjera kampionale si Drita – Gjilani pa u konsultuar fare me Komunën.

Stadiumi nuk është as i Qeverisë e as i Federatës. I takon qytetarëve të Prishtinës. Ne kemi nderin që aty të luajnë Kosova drejt kualifikimit për kampionat e Prishtina lojët kampionale, por askush nuk ka të drejtë as të ndajë lokale e as të vendos ndeshje të tjera.

Kërkojmë nga ministria që sa më parë ta dorëzoj stadiumin sipas marrëveshjes dhe po ashtu që çdo vendim për lokale e lojë të bëhet me bazë ligjore, sepse përndryshe jemi të detyruar ti lirojmë hapësirat me ligjet në fuqi.

Ne kemi mirëkuptim, por çdo gjë duhet të bëhet me ligj dhe në përputhje me interesin publik.