Agim Ademi: S'e kemi obligim të pyesim Komunën e MKRS-në për vendimet për ndeshjet në 'Fadil Vokrri'

Polemikat në mes Komunës së Prishtinës, Ministrisë së Sportit dhe Ministrisë së Planifikimit Hapësinor kanë vazhduar edhe sot.

Telashet rreth pranimit teknik të stadiumit “Fadil Vokrri” kanë përplasur këto institucione në mes vete.

Ditë më parë, Iber Alaj, drejtor i Departamentit për Sport në MKRS deklaroi për KALLXO.com se ekzekutivi i kryeqytetit nuk është në gjendje ta menaxhojë stadiumin që mban emrin e legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri.

“Komuna e Prishtinës është e njoftuar se objekti është i pranuar dhe në funksion, por sigurisht ata nuk janë të përgatitur akoma si menaxhment i Komunës së Prishtinës që të marrin përgjegjësinë mbi menaxhimin e stadiumit të Prishtinës, momentalisht është Federata duke e menaxhuar. Komuna duhet të përgatisë menaxhmentin, që përveç që e menaxhon edhe ta mirëmbajë”, pati thënë Iber Alaj ditë më parë për KALLXO.com.

Drejtori i Drejtorisë për Sport në Komunën e Prishtinës, Fitim Rexha, thotë se Komuna është e gatshme që t’i marrë të gjitha kompetencat e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe ta menaxhojë atë në mënyrë perfekte.

“Komuna e Prishtinës gjithsesi është e gatshme me i marrë të gjitha kompetencat në lidhje me stadiumin e Prishtinës edhe menaxhimin e tij në mënyrë perfekte”, thotë i bindur Rexha.

Fitim Rexha, thotë se FFK-ja i ka bërë dy-tre veprime pa u konsultuar fare me Komunën e Prishtinës, duke e përfshirë edhe vendimin për ndeshjen Gjilani- Drita, e cila luhet të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Rexha insiston se FFK-ja, duhet të koordinohet e të ketë bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, e jo të marrë vendime krye më vete, të cilat sipas tij janë arbitrare.

“Kenë nja dy- tri veprime tashti në kohën e fundit të Federatës, domethënë nuk janë konsultuar me neve fare. As ndeshja Gjilani- Drita nuk na kanë pyetur fare, duhet me u respektu na si institucion që jemi. Ne nuk jemi kundër zhvillimit të ndeshjeve e as lirimit të zyrave për klube e as kurrgjë, por kjo duhet të bëhet në koordinim dhe në bashkëpunim të njëri – tjetrit, ashtu e tha edhe kryetari domethënë, por ata pa pyetur fare kanë marrë vendime në mënyrë arbitrare”, potencon Fitim Rexha.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte reaguar pas raportimeve të KALLXO.com, për gjendjen e stadiumit “Fadil Vokrri”, ai po ashtu në këtë reagim kishte përmendur se FFK-ja, përveç vendimeve për ndeshje, ka lëshuar vendime edhe për lokale në këtë stadium.

“Kërkojmë nga Ministria që sa më parë ta dorëzoj stadiumin sipas marrëveshjes dhe po ashtu që çdo vendim për lokale e lojë të bëhet me bazë ligjore, sepse përndryshe jemi të detyruar t’i lirojmë hapësirat me ligjet në fuqi”, kishte shkruar i pari i Prishtinës.

E drejtori i Drejtorisë për Sport në Komunën e Prishtinës, Fitim Rexha, ka treguar se për cilat klube janë bërë lirimet e zyrave në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Është Lidhja e Rajonale e Prishtinës dhe zyrat e FC Prishtinë, janë bërë lirimet e atyre zyrave pa u konsultuar me neve”, ka zbuluar Rexha për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontakuar edhe Kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, në lidhje me këto çështje.

Ademi ka thënë se derisa FFK-ja e ka në menaxhim stadiumin “Fadil Vokrri”, atëherë nuk e kanë të obliguar që ta pyesin Komunën dhe MKRS-në për çdo ndeshje.

“Ne me Komunën mundemi me folë, me bisedu për çështje vendimtare, për me dhanë vendime, sa i përket anës sportive nuk është se për çdo ndeshje ne duhet me i pyet Komunën apo Ministrinë çka me vendos, deri sa jemi në këtë pozicion është njëfarë marrëveshje që në aspektin sportiv me menaxhu Federata e Futbollit për vet faktin që na i kemi ndeshjet e kombëtares”, ka thënë i pari i FFK-së.

Ademi thekson se FFK-së nuk i intereson të marrë pronësinë e këtij stadiumi, pasi atyre i intereson që stadiumi “Fadil Vokrri” të jetë i mirëmbajtur në mënyrë të rregullt për ndeshjet ndërkombëtare.

“Ne asnjëherë nuk kemi pretenduar dhe kërkuar të marrim ndonjëherë nga ajo pronësi, sinqerisht neve na intereson vetëm me qenë stadiumi i mirëmbajtur sa duhet”, është shprehur ai.

I pari i FFK-së ka thënë se hapësirë për zyre në stadiumin “Fadil Vokrri” iu është lëshuar  Lidhjes Rajonale të Prishtinës dhe për klubin FC Prishtina. Sipas tij, këto leje janë vetëm përkohësisht, pa ndonjë vendim zyrtar.

“Lidhja Rajonale e Prishtinës, realisht i takon me e pasë sepse është e Prishtinës, janë zyre të cilat i shfrytëzojnë kur janë ndeshjet kombëtare. Ne i lejojmë me i shfrytëzu, por vendim nuk i japim” tregon Agim Ademi.

Agim Ademi shpjegon se përse e lejuan që ndeshja Gjilani – Drita, të zhvillohej në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ai ka thënë se kanë marrë kërkesë nga Policia e Kosovës dhe nga klubi i Gjilanit, duke treguar se ndeshja nuk mund të zhvillohej në Gjilan, për arsye të sigurisë.

Ai bile e cilëson derbi për të cilin krenohet i gjithë Ballkani.

“Ne faktikisht me një kërkesë të policisë se ndeshje nuk mund të zhvillohet për çështje të sigurisë me kërkesë të klubit, ne kemi vendosur që ky derbi të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”,  për vet faktin që mundet me u kontrollu më mirë e ma rehat, janë kushtet ma të mira dhe faktikisht kur e shohim anën sportive është mirë që luhet. Kur është aspekti sportiv, normalisht që është një derbi që krenohen i gjithë Ballkani për një derbi të tillë e lëre më Kosova”, përfundon ai.

 

Skandaloze: Stadiumi ‘Fadil Vokrri’ pa pranim teknik