Lahuta e Malcise - Gjergj Fishta
147 vjetori i lindjes së Gjergj Fishtës
Politikani, kleriku, shkrimtari Gjergj Fishta, u lind në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871.
Kur ishte 6 vjeç e dërguan në Seminarin Françeskan të Shkodrës.
Më 1880 vazhdoi studimet në Kolegjin Françeskan në Troshan, ku mbaroi dhe shkollën e mesme.
Ai ishte nxënës i poetit arbëresh Leonardo De Martino.
Më 1886 vazhdon studimet për filozofi dhe teologji në Bosnjë.
Më 1893 u kthye në Shqipëri dhe më 1984 filloi punën si profesor i gjuhës shqipe në Seminarin e Troshanit.
Deri më 1899 Fishta shkruan me alfabetin shqip të françeskanëve.
Në janar të atij viti ai bëhet bashkëthemelues dhe pjesëtar aktiv i shoqërisë “Bashkimi”, të cilën e drejtoi poeti Preng Doçi.
Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe.
Më 1902 emërohet drejtor i shkollës Françeskane në Shkodër.
Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”, ku u zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit.
Më tetor 1913 Fishta themeloi revistën “Hylli i dritës” dhe ishte drejtor i saj.
Më 1916 botoi revistën “Posta e Shqypnisë”. Po më 1916-tën së bashku me Luigj Gurakuqin, Ndre Mjedën, Mati Logorecin etj. themeluan Komisinë Letrare në Shkodër.
Nga fillimi i prillit 1919 dhe gjatë vitit 1920 ishte Sekretar i Përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris.
Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës në Parlamentin Shqiptar.
Në prill 1921, në mbledhjen e parë të Parlamentit zgjidhet Nënkryetar.
Vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Ai nxjerr botimin e plotë të veprës së madhe “Lahuta e Malcis” (1937).
Fishta kishte qenë njohës i latinishtes, greqishtes së vjetër, italishtes, frëngjishtes, e gjuhëve sllave.
Veprimtaria e tij letrare, përveçse në librat u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, ku ai përdori 24 pseudonime.
Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme.
Më 1931 Greqia i dha dekoratën “Foenix”. Më 1939 Italia e bëri anëtar të Akademisë së saj. Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.