10 rregullat e arta për shtatëzani të shëndetshme

Shtatëzania është proces gjatë të cilit një grua duhet të jetoj normalisht duke i kushtuar rëndësi jetës së shëndetshme dhe gjendjes së saj emocionale.

Gjinekologu obstetër Memli Morina tregon për KALLXO.com se çka duhet të bëjë një grua shtatëzënë prej momentit kur ajo e kupton se testi i shtatëzanisë rezulton pozitiv.

“Nëse sapo e bëre testin e shtatzënisë dhe të doli pozitiv, atëherë është normale që të jesh njëkohësisht edhe shumë e gëzuar, por edhe të kesh frikë! Për të pasur një shtatzëni të shëndetshme ndiq këta hapa” thotë Morina.

  1. Sa më shpejt që të jetë e mundur zgjidhe një mjek tek i cili do ta përcjellësh shtatzëninë dhe me të cilin do të konsultohesh për problemet dhe shqetësimet që mund të kesh. Që në vizitën e parë duhet konfirmohet se je shtatzënë dhe se je shtatzënë brenda në mitër, si dhe do të marrësh informacione të bollshme për mënyrën e shëndetshme të të jetuarit.
  2. Ushqehu shëndetshëm që do të thotë se duhet të hash së paku pesë racione ushqimi në ditë me sa më shumë fruta e perime. Merr mjaftueshëm qumësht dhe produkte të qumështit. Ha së paku dy porcione peshk në javë. Kujdes! Mos ha për dy veta!
  3. Merre acidin folik rregullisht. Acidi folik e ul rrezikun që bebja të ketë probleme me tubin neural. Bisedo me mjekun se a ke nevojë të marrësh edhe vitamina tjera si për shembull vitaminën D.
  4. Duhet të kesh kujdes edhe për higjienën e ushqimit! Shpërlaj me kujdes perimet dhe frutat. Ki kujdes kur punon me mish. Kujdes me disa ushqime të cilat kanë mikrobe. Mos ha mish dhe vezë të papërpunuara termikisht dhe qumështin patjetër që para se të pish duhet të zihet.
  5. Ji fizikisht aktive! Aktiviteti fizik të ndimon që ta mbash peshën trupore në kontroll, I eviton problemet gjatë shtatzënisë (psh shtypjen e lartë të gjakut), ju ndihmon që të keni një lindje më të lehtë, parandalon formimin e venave në këmbë dhe ndikon pozitivisht në disponimin tuaj. Cili aktivitet fizik? Cilido: ecja, noti, joga, pilates. Nëse tashmë je duke u marrur me ndonjë sport ose me fitness, vazhdo lirshëm dhe mos u merakos, përveç nëse sporti që merresh ka kontakt fizik ose nëse i rrezikon nyjet
  6. FIllo me ushqimet e muskujve të dyshemesë së pelvikut. Nëse dobësohen muskujt e dyshemesë së pelvikut, ka rrezik që të kesh urinim të pavullnetshëm si dhe më vonë edhe probleme tjera. Bëji rreth tetë shtrëngime të muskujve të pelvikut, tri herë në ditë. Kërko ndihmën dhe këshillat e mjekut lidhur me ushtrimet e muskujve të dyshemesë së pelvikut ose siç quhen ushtrimet e Kegelit.
  7. Mos pi alkool! Nuk e dimë se cila sasi e alkoolit është e sigurt të merret gjatë shtatzënisë, prandaj mos pi fare alkool. Alkooli e rrit rrezikun për abort dhe ndikon negativisht në zhvillimin e trurit të bebes.
  8. Kujdes me kafeinën! Nëse konsumoni shumë pije dhe ushqime me kafeinë rritet rreziku për abort. Kafeinë ka në kafe, çaj, kola, çokollatë dhe pije energjike.
  9. Mos pi duhan! Duhani shkakton probleme serioze shëndetësore për ty dhe për beben tënde. Shkakton abort, lindje të parakohshme, vdekje të frytit brenda në mitër. Kujdes! Mos rri as në ambientet ku pihet duhani.
  10. Pusho mjaftueshëm. Muajt e parë është normale që e ndien veten më lodhshëm. Në muajt e mëvonshëm shpesh të ndodh që të mos flesh mirë gjatë natës dhe ditët e nesërme e ndien veten jo edhe aq mirë. Përpiqu që të pushosh kohë pas kohe.