Ndotja Dyfishon Sëmundjet Malinje në Regjionin e Prishtinës

KEK-u u cilësua si ndotësi më i madh i Kosovës nga shumë diskutues në tryezën e Institucionit të Avokatit të Popullit me temën “Përgjegjësia për Mbrojtjen e Mjedisit”. Këtë e demantoi kryeshefi i Korporatës Energjetiket Arben Gjuka, duke kërkuar të flitet me fakte.

Pulmologu Gazmend Zhuri tha në tryezë se banorët e Komunës së Obiliqit janë më të rrezikuarit në Kosovë nga sëmundjet malinje, ndërsa për këtë fajësoi ndotjen që këtij qyteti i vjen nga KEK-u dhe ndotësit tjerë.

“Ndikimi jo vetëm i KEK-ut, por edhe i faktorëve tjerë, vërehet te pacientët me sëmundje të kancerit në mushkëri, pasi që ndotja e ambientit ndikon drejtpërdrejt në këto sëmundje”,tha Zhuri.

Sipas tij, numri i të sëmurëve me sëmundjet malinje është dyfish më i madh në Regjionin e Prishtinës.

Për ta vërtetuar këtë, ai krahasoi Obiliqin me Pejën.

“ Dyfish është ma e madhe sëmundshmëria e fëmijëve me Obiliq sesa në Pejë, ku ambienti është shumë më i pastër. [Në Obiliq] ka shumë fëmijë me bronhit dhe sëmundje të tjera në të cilat ndikon ndotja”, shtoi Zhuri.

KEK-un nuk e kursyen as diskutuesit tjerë. Bile Mustafë Hyseni, drejtor i Inspektoratit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Korporatën Energjetike e cilësoi ndotësin më të madh të vendit.

Ai tha se rreziku i tymit të KEK-ut nuk është vetëm për Obiliqin, por ky tym shkon deri në Mitrovicë e në Han të Elezit. “Toka e Rrafshit të Kosovës po thartohet dhe në këtë mënyrë po shkatërrohet i tërë Rrafshi i Kosovës”,deklaroi Hyseni.

Ai shtoi se në këtë situatë është më mirë të blihet rryma.

“Nëse KEK-ku ka vendosë të mos jetë i disiplinuar dhe të mos e zvogëlojë ndotjen, atëherë ne kemi më shumë llogari që të blejmë energji elektrike, sesa që të prodhojmë energji”, tha Mustafa.

Zyrtarin e Ministrisë së Ambientit e kundërshtoi ashpër kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut Arben Gjuka, duke thënë se ai po flet të pavërteta.

“Ju bëj thirrje të flisni me gjuhën e fakteve. Nuk është e vërtetë që KEK-u është ndotësi më i madh, nuk është e vërtetë që ministria e ka detyruar KEK-un me i vendosë filtrat”, tha Gjuka.

Megjithatë Gjuka pranoi se ndërmarrja ka trashëguar  katër lloj ndotësish: “deponinë e hirit, transportin e  hirit të freskët ose fluturues, materie të rrezikshme si fenoli dhe katrani dhe ndotësi i fundit  janë tymtarët”.

Edhe kryetari i Komunës së Obiliqit Xhafer Gashi u ankua se qytetarët e kësaj komune jetojnë në vendin me ujë dhe tokë të ndotur.

“Ndotësit që po krijojnë ndotje, çdo ditë e më shumë po e vështirësojnë jetën e qytetarëve në komunën tonë”.

Edhe qytetari Hetem Kutllovci fajin për ndotje dhe sëmundje të marra nga ajo ia hodhi drejtpërdrejt KEK-ut. Tha se babai i ka vdekur nga kanceri i mushkrive dhe vetë është i sëmurë nga ai.

“Ne kemi sakrifikuar më së shumti për me u prodhu kjo i energji, kemi dhënë tokat tona dhe shpërblim kemi sëmundjet”, tha Kutllovci.

Nikoqiri Sami Kurteshi bëri thirrje në tryezë që të kujdesemi për ambientin e jashtëm, si për të brendshmin.

“Ne të gjithë pastrojmë shtëpitë dhe oborret tona, por atë bërllok e hedhim jashtë dhe s’mendojmë më tej”,  tha Kurteshi.