President kinez Xi Jinping viziton Serbinë në vitin 2016. Foto Beta.

Ndikimi i Kinës në Ballkan përbën rrezik, paralajmëron raporti

Raporti i Konferencës së Sigurisë në Mynih thotë se BE-ja duhet të ndërgjegjësohet se vendet e Ballkanit rrezikojnë t’i nënshtrohen “kurthit te diplomacisë së borxhit” ndërsa borxhet e tyre ndaj Kinës rriten.

 

Shtrirja ekonomike e Kinës në rajonin e Ballkanit Perëndimor paraqet rreziqe për BE-në, sidomos përsa i takon rritjes së mbështetjes ndaj kredive kineze, paralajmëron raporti i Konferencës së Sigurisë në Mynih i vitit 2019 i cili u publikua të hënën.

Raporti, i cili përmban të gjitha rreziqet kryesore të sigurisë në të gjithë globin, ka një kapitull të veçantë mbi Ballkanin në të cilin fokusi bie mbi rritjen e ndikimit të fuqive jo-europiane, sidomos i Kinës dhe Rusisë, në një kohë kur perspektiva e anëtarësimit në BE për shtetet jo anëtare të ish-Jugosllavisë po zbehen.

Ai nënvizon borxhin e katër vendeve të Ballkanit sidomos ndaj Pekinit, me Malin e Zi që kryeson në terma përqindjeje për borxhin e tij të jashtëm të saj ndaj Kinës – 39 për qind e totalit të borxhit të jashtëm.

Një kredi prej 809 milionë eurosh për të ndërtuar pjesën e parë të një autostrade drejt Serbisë e ka çuar nivelin e borxhit të Malit të Zi në 80 për qind të GDP-së së tij, duke rritur shqetësimet se Kina do ta nënshtrojë Malin e Zi në atë që raporti e quan “diplomacia e borxheve”.

Maqedonia renditet e dyta përsa i takon borxhit ndaj Kinës. Një e pesta e borxhit të jashtëm vjen nga kredi nga Kina. Ajo pasohet nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia. Ata i detyrohen përkatësisht 14 dhe 12 për qind të totalit të borxhit të tyre të jashtëm Pekinit.

“Ndërkohë që Pekini përkrah pranimin në BE të rajonit, aktivitetet e tij ngritën dyshime brenda Bashkimit Europian se Kina mund të shfrytëzojë përparësinë e saj ekonomike për përfitime politike,” pohon raporti.

Ai shton se një problem tjetër është se projektet kineze nuk janë domosdoshmërish në përputhje me rregullat e transparencës dhe të qëndrueshmërisë së BE-së.

Raporti citon shembuj të tjerë të ndikimit kinez në rajon, siç është promovimi i mbulimit “pozitiv” të Kinës në mediat serbe dhe organizimi i simpoziumeve për “gazetarinë e shëndoshë”. Ai nënvizon publikimin e rregullt të aktiviteteve të Xi Jinping në mediat serbe.

Raporti gjithashtu vë në dukje se ndërkohë që BE-ja mbetet donatori dhe investitori më i madh në rajon me një diferencë të konsiderueshme, ajo është ndërgjegjësuar vetëm së fundmi për rrezikun e një pranie në rritje të Kinës dhe Rusisë në rajon, ndërkohë që në të njëjtën kohë “zvogëlon pashmangshmëria e pranimit në BE”.

Një studim i kryer nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, RCC, në të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor vë në dukje se besimi në perspektivën e anëtarësimit në BE është ende i pranishëm dhe mbizotërues.

Në rajon, ai tregoi se një mesatare prej 56 për qind e të anketuarve besojnë se pranimi në BE do të ndodhë para vitit 2030, krahasuar me 27 për qind të cilët besojnë se kjo nuk do të ndodhë kurrë.

Pothuajse 50 për qind e të anketuarve të Ballkanit gjithashtu mendojnë se bashkimi me BE-në do të sjellë gjëra pozitive për vendet e tyre; vetëm 30 për qind mendojnë se kjo thjesht do t’i përkeqësojë gjërat.

Megjithatë, përgjigjet pro-BE nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi krijojnë një lloj kthese pro-europiane në qëndrimet e anketës rajonale. Përgjigjet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina janë më euroskeptike.