Flamuri amerikan dhe ai i Kosovës - Foto: Facebook/HashimThaci

Ndihmës-Sekretari i Shtetit e Fillon në Prishtinë Turneun në Ballkan

Ndihmës-Sekretari i Shtetit për Çështje të Europës dhe Euro-Azisë, Wess Mitchell, do të nisë nesër në Prishtinë një turne në Ballkan, i cili do të përfundojë me vizitën në Nikozi të Qipros.

Nesër, në Prishtinë, Mitchell do të zhvillojë takime me zyrtarët më të lartë shtetërorë, përfshirë presidentin Thaçi, kryeministrin Haradinaj por edhe me përfaqësues të tjerë politikë dhe nga shoqëria civile, gjatë të cilave ai do të ritheksojë lidhjet e ngushta mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Ai do të inkurajojë Qeverinë e Kosovës që të përparojë në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të forcojë sundimin e ligjit, të nxisë rritjen ekonomike dhe të kapërcejë sfidat rajonale në të mirë të stabilitetit dhe integrimeve perëndimore”, thuhet në një komunikatë të Departamentit të Shtetit.

Të nesërmen, pra të martën, Ndihmës-Sekretari i Shtetit për Çështje të Europës dhe Euro-Azisë do të shkojë në Shkup, ku do të takohet me kryeministrin Zaev dhe ministrin e Jashtëm, Dimitrov.

Sipas komunikatës, zyrtari i lartë amerikan do të ritheksojë mbështetjen e ShBA-së për aspiratat euro-atlantike të Maqedonisë, do të ofrojë mbështetje Maqedonisë për negociatat me Greqinë, dhe do t’i kërkojë qeverisë maqedonase të implementojë reformat për të përmirësuar qeverisjen demokratike, rendin dhe ligjin dhe për të pasur media të lira.

Më 14 mars, në Beograd, Wess Mitchell do të takohet me zyrtarë të lartë, përfshihrë presidentin Vuçiq, kryeministren Bërnabiq, dhe liderë të opozitës.

Departamenti i Shtetit thotë se Mitchell do të ritheksojë marrëdhëniet e fuqishme mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe do t’i kërkojë Qeverisë serbe të shtyjë përpara normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të bëjë reformat e nevojshme për të arritur qëllimet për anëtarësim në Bashkimin Europian, dhe të mbështesë në mënyrë aktive stabilitetin rajonal.

Në Athinë, më 15 mars, Ndihmës-Sekretari Mitchell do të takohet me zyrtarë të lartë grekë me të cilët do të diskutojë për thellimin e lidhjeve strategjike ShBA-Greqi dhe për të forcuar bashkëpunimin bilateral, përfshirë këtu në fushën e mbrojtjes, energjisë, tregtisë dhe investimeve.

Në fund, në Nikozi, më 16 mars, ai do të takojë zyrtarë të Republikës së Qipros për të biseduar për zgjidhjet rajonale, përfshirë zhvillimin e resurseve të energjisë në Mesdheun Lindor. Ai do të takohet edhe me liderë të qipriotëve grekë dhe qipriotëve turq, si dhe me përfaqësues të Kombeve të Bashkuara.