Foto: Kallxo.com (Arkiv)

Ndihma e Shpejtë në gjykatë për dëshmitarin në tenderin 6 milionësh të KEK-ut

Në gjykimin për tenderin 6 milionësh të KEK-ut, ku të akuzuar janë drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, si dhe Esat Tahiri, Milazim Lushtaku, Driton Pruthi e Azem Duraku u dëgjuan 4 dëshmitarë.

Në cilësinë e dëshmitarit vazhdoi të merrej në pyetje Edmond Nulleshi, drejtor ekzekutiv i Shërbimeve të KEK-ut, e më pas u procedua me dëshmitarët Remzi Shahini, Ilaz Duli, si dhe Tefik Sylejmani.

Por seanca një herë u ndërpre pasi gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit Remzi Shahini nga ana e prokurores, ai filloi të mos ndjehet mirë. Për këtë rast u ftua edhe ndihma eshpejtë.

Kur seanca vazhdoi pas pauzës, avokatët mbrojtës propozuan që deklarata e tij e dhënë në polici të konstatohet si e lexuar, për hir të asaj që dëshmitari Shahini të mos ftohet përsëri në sallë të gjykatës.

Në radhë për të dëshmuar ishte dëshmitari Ilaz Duli, i cili ka punuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), në mandatin e parë si kryetar, ndërkaq në mandatin e dytë anëtar i bordit të këtij institucioni.

Aiu pyet nga prokurorja speciale Florije Shamolli se a i kujtohet në vitin 2012 a kanë pasur një takim me zyrat e KRPP- së lidhur me kërkesë për interpretim ligjor nga ana e KEK- ut lidhur me tenderin për sigurim fizik të objektit, tender ky kontestues në këtë proces gjyqësor.

Para se të elaboronte lidhur me takimin, Duli tha se qëndron pas deklaratës së dhënë në polici vitin 2012.

“Po, duke marrë parasysh se në vitin 2012 ka qenë më herët, lidhur me këtë takim kam dhënë deklaratë në polici dhe meqë kujtesa ka qenë më e freskët atëherë, qëndroj në tërësi pranë asaj deklarate të dhënë”, theksoi dëshmitari Duli.

Tutje, ai tha se në këtë takim ka hyrë 3- 4 minuta para se të përfundonte, por që ka arritur të kuptojë se llogaritjet kanë dalë “zero zero”.

“Ato tre katër minuta është analizuar një rast, është llogaritë me digitron dhe ata që e kanë llogaritë kanë thënë se pa marrë parasysh gjendjen bjen zero zero, andaj i kam pyetur se a pajtoheni ju me këtë llogaritje, më kanë thënë ‘po’ dhe u kam thënë ‘nëse ju keni llogari të pajtoheni atëherë edhe unë pajtohem me juve’”, tha ai.

Duli shtoi se nuk ka qenë i njoftuar se sa kompani kanë aplikuar dhe kushtet që i kanë ofruar këto kompani.

“Asnjë informatë përpos asaj që e thashë veç një pozicioni që ka rezultuar zero zero që e ka llogaritë dikush nga ata që ka qenë prezent. Nuk më kujtohet se çfarë ka qenë përmbajtja e kësaj llogarie, e di faktin se është treguar se dy pozicionet është treguar se operatorët po dalin zero zero (para presjes dhjetore)”, ritheksoi ai.

Madje ai shprehu mllefin në sallë të gjykatës duke deklaruar se nuk ka pasur arsye që të jetë i ftuar në këtë gjykim.

“Pse thirrem në këtë cilësi kur as nuk kam thirrë takim, as nuk kam mbajtur takim e as nuk kam udhëhequr ndonjë. As nuk kam dhënë interpretim e as nuk kam nënshkruar asnjë dokument. Përse unë të thirrem në këtë situatë kur unë nuk kam qenë pjesë e këtij procesi kur unë po e shoh që ata që e kanë organizuar takimin nuk janë thirrë”, tha dëshmitari.

I pyetur se a ka qenë i akuzuari Driton Pruthi në atë mbledhje, i njëjti deklaroi se nuk i kujtohet.

Pas tij, në sallë të gjykatës u dëgjua dëshmitari Tefik Sylejmani, i cili ka punuar në OShP në cilësinë e anëtarit, detyrë e të cilit ka qenë të bëjë shqyrtimin e ankesave të operatorëve ekonomikë kundër vendimeve të autoriteteve kontraktuese.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores, ai tha se kanë pas ankesë nga operatori ekonomik “Besa Security” lidhur me aktivitetin për të cilin bëhet fjalë për ruajtjen e objekteve të KEK.

“Ankesa është shqyrtuar nga paneli shqyrtues i OShP- së dhe ankesa është refuzuar si e pabazuar, pasi që pretendimet e operatorit ekonomik nuk kanë qenë të bazuara andaj paneli shqyrtues nuk ka gjetur prova dhe fakte që një ankesë e tillë të trajtohet si e bazuar”, u përgjigj dëshmitari.

Ai shtoi se gjatë kryerjes së detyrës së tij kanë respektuar gjithmonë ligjin, si dhe kanë ruajtur buxhetin e Kosovës.

Madje, i pyetur nga i akuzuari Hysni Hoxha se si e ka vlerësuar punën e të akuzuarit Duraku, ai u përgjigj se sipas bindjes së tij personale, Azem Duraku ka qenë njëri ndër ekspertët më të mirë në lëminë e prokurimit publik.

Në fund, dëshmitari u mor në pyetje nga anëtari i trupit gjykues Shashivar Hoti.

Në pyetjet e Hotit, dëshmitari tha se paneli është përbërë nga tre anëtarë, ku kryetar ka qenë Hysni Hoxha, por që ankesa është shqyrtuar e trajtuar nga të tretë.

I pyetur se a është e barabartë vota e kryetarit me atë të dy anëtarëve të tjerë, i njëjti u përgjigj “po”.

Madje, ai tha se vendimi i marrë nga ta ka qenë obligativ për operatorin ekonomik që ta nënshkruajë kontratën, pasi që në të kundërtën do të ishte shkelje e prokurimit.

“Pala ka pasë mundësinë t’i drejtohet gjykatës me padi për pezullimin e ekzekutimit të vendimit. Nga njohuritë e mia jam i sigurt që nuk është marrë dhe ky është efekti më i madh që ka ndodh në OShP, kur palët nuk merren me të drejtat e tyre e nuk i drejtohen gjykatës”, shtoi dëshmitari.

Në këtë proces gjyqësor Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku akuzohen për veprën penale mashtrim, ish- drejtori i Prokurimit në KEK Driton Pruthi, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ndërsa Sami Lushtaku, akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare e nAzem Duraku akuzohet për nxitje në keqpërdorim.

Tenderi 6 milionësh lidhej me sigurimin e objekteve të KEK-ut. Hetimet lidhur me këtë rast kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërsa aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.

Në seancën e radhës të caktuar më 25 maj do të dëgjohen 5 dëshmitarë.

Ky gjykim është një prej rasteve të shënjestruara për liberalizimin e vizave.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.

Raportimet për këtë rast mund t’i lexoni në këtë link.