Gropa e hapur buzë rrugës në lagjen "Mati 1" - Foto: KALLXO.com

Ndërtimi i një Objekti Banesor Rrezikon Shembjen e Rrugës

Banorët e rrugës “Beqir Kastrati”, në lagjen “Mati 1”, në kryeqytet, po ndihen të kërcënuar nga shembja e dheut buzë rrugës pas hapjes së një grope ku ka filluar të ndërtohet një objekt banesor.

Njëri prej banorëve thotë se problemi kryesor është se investitori i është afruar shumë rrugës.

Ai ka frikë se përveç rrugës mund të shembet edhe objekti banesor ku banon.

“Tash kohëve të fundit që ia filloi me ra shi, konkretisht, kemi qenë duke qëndru në sallon, e kemi ndëgju një zhurmë edhe kemi dalë në ballkon dhe kemi pa që një sasi e madhe e dheut u shemb dhe është duke u rrezikuar shumë seriozisht shembja e rrugës”, tha ai.

“Mirëpo, nëse vazhdon kështu, mund të rrezikohen edhe banesat”, thotë banori i cili pranoi të identifikohej vetëm me inicialet I.Z.

Ai thotë që kanë bërë ankesë në Komunë mirëpo pavarësisht premtimeve që kanë marrë se do të dalin në terren ta shikojnë situatën, ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

“Për këtë rast apo për këtë shqetësim me datën 18 prill kam telefonuar në Drejtoratin e Inspeksionit të Prishtinës, e kam lajmëruar rastin, më kanë thënë: ‘në rregull, kemi me marrë parasysh’. Kemi pritë një kohë, thuajse një muaj, edhe gjendja ka fillu me u keqësu”, shprehet ai.

Edhe L.S., banor i kësaj rruge, thotë që fillimi i punimeve për këtë objekt u ka shkaktuar shumë telashe

“Nuk e di se si e ka marrë lejen e ndërtimit mirëpo vazhdimisht është çarë rruga dhe me frikë kalojnë andej fëmijët dhe të gjithë ne dhe nuk ka një datë se kur fillojnë punimet dhe kur përfundojnë dhe kush është investitori konkret” , thotë ai.

Përveç rrezikut nga shembja e dheut, thotë ky banor, po përballemi edhe me telashe të tjera që lidhen me punimet që po bëhen këtu.

“Rrugët shpeshherë janë të bllokuar nga kamionët dhe bagerët këtu, makinat janë të pluhurosura, duhet çdo ditë t’i lajmë. Jemi shumë të pakënaqur nga zhurma këtu, punojnë orar e pa orar, por mbi të gjitha shqetësim i të gjithë banorëve janë çarjet e fundit që kanë ndodhur”, shprehet ai.

Ndonëse ka pritur rreth dy javë, KALLXO.com nuk ka marrë përgjigje nga Komuna e Prishtinës lidhur me këtë shqetësim të qytetarëve.

Ndërkohë, kompania ndërtuese ka shtruar pllakën e parë në gropën e hapur.