Ndërpritet Seanca e Rrëmbimit të Djalit të Biznesmenit

Propozimi nga avokati Pjetër Përgjoka për shikimin dhe leximin e  pasaportës së të akuzuarit Bashkim Krasniqi shkaktoi ndërprerjen e seancës gjyqësore në rastin e rrëmbimit të djalit të një biznesmeni nga Prizreni.

Në Rastin “Beska” ishte caktuar shqyrtim për administrimin e provave, por propozimi i avokatit Pjetër Përgjoka i dha kahje tjetër seancës.

“Në plotësimin ë procedurës së provave materiale i propozoj gjykatës që të bëjë shikimin dhe leximin e pasaportës në emër të Bashkim Krasniqit, e cila është deponuar në organet e ndjekjes, e kjo duke u bazuar në deklaratën e të akuzuarit që e ka dhënë në prokurori,” tha avokati Përgjoka.

Ai më tutje në gjykatë tregoi arsyen pse kërkon të shikohet pasaporat e të mbrojturit të tij.

“Konsiderojmë se është e domosdoshme të administrohet kjo provë,pasi disa ditë para ngjarjes kritike [rrëmbimit], ekziston fakti se i njëjti [Bashkim Krasniqi] është kthyer nga shteti i Austrisë,” tha avokati Pjetër Përgjokaj

Ky propozim e ndërpreu shqyrtimin gjyqësor pasi që pasaporta e të akuzuarit është e konfiskuar nga organet e ndjekjes dhe e njëjta duhet të sigurohet për administrim si provë.

Sipas aktakuzës, më 14 shtator të vitit 2011 Bashkim Krasniqi dhe Selami Shoshaj e kishin rrëmbyer Gentian Shkrelin, të cilin e kishin mbajtur në një shtëpi në Rrugën e Kalasë.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit për lirim i kërkuan babait të Gentianit 100,000 euro. Mërgim Shkreli pastaj paratë e kërkuara ia kishte dhënë një personi të maskuar, i cili pasi i kishte marrë paratë ishte larguar me shpejtësi drejt kalasë.

Në të njëjtën kohë Gentian Shkreli ishte liruar.

Në këtë proces gjyqësor, Besim Paçarizi, Beqir Dangallaj dhe Fatmire Rexhëbeqaj (të tre të punësuar në Policinë Rajonale të Prizrenit, tash të suspenduar), akuzohen për kryerje të veprës penale ndihmë në bashkëkryerje të rrëmbimit të personit.

Ndërsa të pandehurve Shukri Krasniqi dhe Leonard Veshalli aktakuza për veprën penale të rrëmbimit u është ngritur më vonë, në bazë të dëshmisë së Enes Xhemës, i cili ka qenë po ashtu i pandehur për këtë rast dhe i dënuar me gjashtë muaj burgim për armëmbajtje pa leje.

Ky gjykim ishte gati në përfundimin e procedurës së provave, mirëpo në vitin 2013 kryetarit të trupit gjykues Xhevdet Elshanit iu keqësua gjendja shëndetësore dhe nga ajo kohë nuk është mbajtur asnjë seancë.

Seanca do të vazhdojë me 21 nëntor me procedurën e provave.