Ndërmarrja ‘Llamkos’ në Vushtrri i shitet kompanisë vendore

Ndërmarrja për prodhimin dhe përpunimin e llamarinës “Llamoks” në Vushtrri është shitur sot përmes një ankandi publik.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe kryetari i sindikatës së punëtorëve, Ragip Hasani, i cili ka thënë se ndërmarrja është shitur për 6 milionë euro.

‘’Po, sot është shitur për 6 milionë euro. I është shitur kompanisë ‘Emona’, në Vushtrri’’, ka thënë Hasani.

Ai ka shtuar se në ankandin e mbajtur sot, sipas njoftimit të administratës kanë qenë katër ofertues, njëri prej të cilëve nuk ka qenë prezent.

Hasani ka folur edhe për ndërrimin e destinimit të ndërmarrjes, për të cilën tha se nuk dihet nëse do t’i ndërrohet apo jo.

Për shitjen e ndërmarrjes, Hasani tha se do të mbajë takim e punëtorët për t’i njoftuar rreth këtij procesi.

‘’Të premten prej orës 14:00, do të mbajë një takim me punëtorët, rreth shitjes. Ndërmarrja siç dihet u ka borxh punëtorëve edhe 10 paga’’, ka thënë Hasani.

Shitja e “Llamkos”-it përmes procesit të falimentimit dhe pa kushte është bërë pasi kjo ndërmarrje dy herë i është nënshtruar procesit të privatizimit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe në të dyja rastet blerësit kanë dështuar t’i përmbushin obligimet.

Pas obligimeve që blerësi i fundit ka pasur ndaj kreditorëve të ndryshëm dhe punëtorëve, në muajin shkurt të këtij viti, Gjykata Themelore e Prishtinës – Departamenti për Çështje Ekonomike ka marrë vendim që ta nxjerrë në shitje pa kushte, përmes ankandit publik.

Fabrika Llamkos ka pasur rreth 500 punëtorë, të cilët kanë mbetur pa punë tash e katër vjet.

KALLXO.com me 22 shkurt ka raportuar për protestën e mbajtur nga punëtorët e fabrikës “Llamkos” në Vushtrri, duke kundërshtuar shitjen e kësaj fabrike pa kushte.

https://kallxo.com/punetoret-e-llamkos-it-ne-proteste-kundershtojne-shitjen-e-ndermarrjes-pa-kushte/

www.kallxo.com