Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkëlqim Morina, Foto: Lëvizja Vetëvendosje/Facebook

Ndalohet në kufi aktivisti i Vetëvendosjes

Sot paradite, në pikën kufitare të Vërmicës, është ndaluar nga Policia e Kosovës aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkëlqim Morina.

Sipas Bajram Krasniqit, zëdhënësit të Policisë së Kosovës, ai është ndaluar pasi ka qenë duke u kërkuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

“Sot, 23.07.2018, para dite, në PKK Vërmicë është ndaluar shtetasi i RKS-së, Sh.M. 31 vjeçar, pasi ka qenë duke u kërkuar nga Gjykata Themelore Prishtinë”, ka thënë për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.

Për këtë arrestim ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje.

“Pushteti do të tregojë se nuk dorëzohet në gabimet e tij. Kështu sot, aktivisti Shkelqim Morina është arrestuar në kufirin me Republikën e Shqipërisë, derisa shkonte në pushime me gruan e tij. Arrestimi i tij është bërë për shkak të aksioneve të mëhershme politike”, thuhet në postimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas tyre, shqetësimi i aktivistëve për projektet e dëmshme politike në Kosovë është treguar i drejtë dhe se angazhimi i tyre ka qenë i dobishëm.

“Sot, arroganca e pushtetit dhe mospërfillja me të cilat qeveritarët shkojnë në Bruksel po i detyrojnë qytetarët të dalin në protesta sërish. Pikërisht në këtë kohë vazhdon edhe përndjekja e aktivistëve. Brutaliteti i qeverisë nuk e ka bërë që të fitojë, por thjesht të dalë kërcënuese por edhe e zmbrapsur nga populli. Kështu edhe do të ndodhë”, thekson VV.