Ndalohet hyrja e palëve dhe avokatëve pa ftesa në Gjykatën e Prizrenit

Ymer Hoxha, kryetar i Gjykatës Themelore në Prizren, ka marrë vendim për ndalimin e hyrjes së palëve dhe avokatëve në objektin e Gjykatës pa ftesë ose leje gojore.

“Urdhërohen punëtorët e sigurimit dhe recepsionistja që të mos lejojnë hyrjen e Avokatëve dhe palëve në objektin e Gjykatës pa ftesa ose leje gojore të kryetarit të gjykatës apo gjyqtarit me përjashtim në zyrën për dorëzimin e shkresave”, thuhet në vendimin e kryetarit të Gjykatës Themelore të Prizrenit, Ymer Hoxha.

KALLXO.com ka kontaktuar me kryetarin e Gjykatës, Ymer Hoxha, i cili tha se ky vendim është marrë për të pasur rend dhe rregull në Gjykatë.

“Ky vendim është marrë që të ketë rend dhe rregull, dhe të mos pengohet puna e gjykatësve, kështu funksionon edhe në polici, në odën e avokatëve e në shumë institucione të tjera. Asnjëri që nuk ka ftesë ose leje të gjykatësit nuk lejohet të hyjë”, tha Hoxha për KALLXO.com

Në vendimin e Hoxhës thuhet “nëse Avokatët apo palët nuk e zbatojnë urdhrin atëherë personeli i sigurimit i largon me detyrim”.

Vendimi i kryetarit të Gjykatës Themelore në Prizren ka hyrë në fuqi me 8 gusht dhe sipas Hoxhës nuk do të shfuqizohet.