Kërkimet për dy policët e zhdukur - Foto: KALLXO.com

Ndalet uji në dy hidrocentrale për kërkimin e dy policëve të zhdukur

Policia e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor sot rreth orës 16:00 në dy hidrocentrale të rajonit të Ferizajt do të bëhet ndërprerja dhe  orientimi i rrjedhjes së ujit drejt kanaleve të ujitjes në disa fshatra të rajonit të Kaçanikut.

Sipas policisë,  ky hap o të ndërmerret me qëllim të zvogëlimit të nivelit të ujit të lumit Lepenc, në mënyrë që të lehtësohet kërkimi i dy zyrtarëve policorë.

“Fshatrat e rajonit të Kaçanikut nëpër të cilat pritet të kalojë uji në kanalet e ujitjes janë: fshati Doganaj, Sopanicë, Tushaj, Dubravë dhe Nikaj” thuhet në njoftimin e policisë.

Siç është bërë e ditur deri më tani që nga rënia në lumë e dy policëve të sshtunën në vendin e ngjarjes janë angazhuar menjëherë të gjitha njësitë relevante të Policisë së Kosovës.

Këto njësite janë koordinuar dhe kanë bashkëpunuar me të gjitha institucionet tjera përgjegjëse, si: Prokuroria, Agjencia e Menaxhimit Emergjent, njësitet e FSK-së, njësite të ndryshme të kërkim-shpëtimit, ekipe të zhytësve, KFOR-i, si dhe zyrtarë policorë vullnetarë, ekipe të ndryshme vullnetare, zhytës, alpinistë, qytetarë etj., të cilët për ditë me radhë, janë vënë në kërkim të dy policëve.

KALLXO.com vazhdimisht e ka ndjekur aksionin e kërkimit të dy policëve.