Ndahen mbi dy milionë euro për rivitalizimin e rrugës 'Marin Barleti' në Prizren

Rruga “Marin Barleti” në Prizren do të rivitalizohet dhe në të do të investohen mbi 2 milionë euro.

Projekti për rivitalizimin e rrugës është prezantuar sot gjatë një takimi të mbajtur në MKRS, nga ministri Kujtim Gashi dhe drejtues të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren

Projekti “Revitalizimi dhe Integrimi Socio-Ekonomik i komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti në Prizren” është projekt përmes së cilit parashihet edhe trajtimi i 14 ndërtesave të banimit të cilat gjenden në këtë rrugë dhe janë në gjendjen të rëndë.

Përmes një komunikate për media, MKRS njofton se pasi ka pranuar projektin e rivitalizimit, ministri Gashi ka potencuar se edhe përkundër faktit që zbatimi i këtij projekti paraqet një ngarkesë buxhetore për MKRS-së, ai do të zbatohet në përpikmëri, në respektim të standardeve të larta profesionale dhe në zbatim të legjislacionit në fuqi

Sipas këtij njoftimi, hartimi i projektit ka filluar që nga viti 2017 dhe është trajtuar ne mesin e disa prioriteteve tjera që ka pasur Ministria.

Procesi i hartimit të projektit është koordinuar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe organizata EC Ma Ndryshe. I njëjti është financuar nga MKRS-ja, në vlerë prej 50 mijë eurosh si dhe është mbështetur nga Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada britanike në Prishtinë dhe Komuna e Prizrenit.

Sipas MKRS, ky projekt hap rrugët për investime mbi 2 milionë euro në këtë lagje të rëndësisë së veçantë për qytetin e Prizrenit.

“Rruga ‘Marin Barleti’ zë pjesën kyçe të Qendrës Historike të Prizrenit, ndaj dhe revitalizimi urban dhe shoqëror i tij do të ndikon në krijimin e kushteve optimale për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe zhvillim të qëndrueshëm lokal në të gjithë Qendrën Historike të Prizrenit”, ka thënë ministri Gashi.