Nazim Bllacës i Parashkruhet Lënda

Përkundër një përpjekjeje të pasuksesshme për t’u mbajtur një seancë në Gjykatën e Apelit ditën e sotme, ajo nuk ndodhi pasi që palët nuk ishin të njoftuara me kohë për të.

Nazim Bllaca më 8 mars të këtij viti ishte gjetur fajtor dhe dënuar me 6 muaj burg për veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së pavërtetë.

I pakënaqur me këtë vendim përmes avokatit të tij Burhan Qosa, Bllaca ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.

Megjithatë, ky rast nuk do të ketë mundësinë të marrë një epilog meritor pasi që më 2 maj të këtij viti lënda do të arrijë parashkrimin absolut pasi që sipas aktakuzës Bllaca veprën e kishte kryer më 2 maj 2007 ndërsa dënimi për veprën e tij parashihet deri në 5 vjet çka do të thotë se më 2 maj do të arrij parashkrimin absolut.

Për të evituar parashkrimin sot në Gjykatën e Apelit ishte paraparë të mbahej seanca dëgjimore, e cila për arsye procedurale nuk u mbajt.

Avokati i Bllacës, Burhan Qosa për KALLXO.com tha se klienti i tij nuk ishte njoftuar me kohë për mbajtjen e seancës.

“Ajo që vlen të theksohet është fakti se sot më 27.04.2017, në seancë përveç Kolegjit të Apelit isha pjesëmarrës edhe unë si mbrojtës i Nazim Bllacës, dhe se pas sqarimeve të bëra në seancë, është kuptuar qartë se Kolegji i Apelit, kishte bërë përpjekjet e nevojshme që çështja në fjalë të procedohet konform dispozitave ligjore të KPPRK-së, por se u vërtetua se edhe për kundër atyre përpjekjeve Kolegji i Apelit nuk kishte arritur ta njoftoj me rregull klientin tim Nazim Bllaca, nga dhe si pasojë e këtij fakti nuk ishin plotësuar kushtet për mbajtjen e asaj seance”, tha Qosa për KALLXO.com.

Avokati tha se pavarësisht se nuk është prania e obligueshme e palëve në seancën e Apelit është obligim që palët të njoftohen së paku 8 ditë para mbajtjes së seancës.

Avokati Qosa më tej thotë se tanimë përfundimisht kjo lëndë nuk do të mund të vendoset as për ankesën e tij por as për atë të prokurorisë për shkak të parashkrimit.

“Si avokat mbrojtës i Nazim Bllacës, ju bëj me dije se tanimë përfundimisht nuk ka mundësi jo vetëm që në këtë çështje penale të vendoset sipas ankesës së Prokurorisë Themelore Ferizaj, por as që të bëhet i formës së prerë, me këtë edhe i ekzekutueshëm aktgjykimit P.nr. 860/13, të marrë nga Gjykata Themelore Ferizaj më 08.03.2017, si rezultat që më 02.05.2017 në këtë çështje penale plotësohet afati ligjor i parashkrimit absolut, nga dhe konform par. 8 të nenit 107 në rastin konkret ndalohet ndjekja penale”, tha Qosa.

Mbrojtësi juridik i Bllacës tha se është i bindur se edhe sikur mos të kishte parashkrim, klienti i tij do të lirohej si i pafajshëm nga Gjykata e Apelit.

“Edhe pse mbrojtja është e bindur se edhe po që se në rastin konkret nuk do të kishim parashkrim absolut, Nazim Bllaca, do të shpallej i pafajshëm nga kolegji profesionist i Apelit, me rastin e vendosjes sipas ankesës sonë”, tha Qosa.

Sipas aktakuzës, Bllaca akuzohej se në vitin 2007 ka vënë në lajthim organin kompetent për vërtetimin e kontratave në Gjykatën Komunale në Ferizaj, duke prezantuar dokumente publike të falsifikuara, më konkretisht autorizime, gjoja të vërtetuara në Gjykatën Komunale në Lipjan, dhe më pas me anë të këtyre autorizimeve ka legalizuar një kontratë të shitblerjes në maj të vitit 2007.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me këtë rast edhe në fazat e mëhershme të gjykimit.