NATO Komenton Çështjen e Ligjit për FSK-në

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, tha për KALLXO.com se kjo aleancë, e cila e ka mbikëqyrur zhvillimin e FSK-së deri më tani, do të vazhdojë ta mbështesë këtë forcë “brenda mandatit aktual”.

Përderisa përsëriti se e ardhmja e FSK-së është në duar të kosovarëve, Lungescu u shpreh se i përket Këshillit Veri-Atlantik të vendosë se çka do të bëjë NATO me FSK-në me mandat të ndryshuar.

“Siç e ka thënë Sekretari i Përgjithshëm (i NATO-s) gjatë vizitës së fundit në Prishtinë, NATO e mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës brenda mandatit aktual”, tha për KALLXO.com, zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu.

Ajo tha se struktura, mandati dhe misioni i FSK-së nuk janë çështje për të cilat vendosë NATO.

“Kjo është një çështje e brendshme e institucioneve të Kosovës në përputhje me të drejtën e tyre kushtetuese”, shtoi ajo.

“NATO e mbështetë zhvillimin e FSK-së brenda mandatit aktual, bashkë me strukturat e saj civile. Nëse mandati FSK-së ndryshon, Këshilli Veri-Atlantik do ta rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s në kuptim të ndërtimit të kapaciteteve”, tha Lungescu.