Naim Bazaj e Ramiz Lladrovci. Foto: Facebook

Naim Bazaj Merret në Pyetje për Sulmin Ndaj Ramiz Lladrovcit

Kryetari i Asamblesë Komunale të Drenasit, Naim Bazaj, është marrë në pyetje sot nga ana e policisë në lidhje me incidentin e para dy ditëve në Tërstenik të Drenasit, ku u sulmua kryetari aktual i komunës, Ramiz Lladrovci.

Bazaj, një rival politik i Lladrovcit, edhe në zgjedhjet e vitit të kaluar për kryetar të komunës, edhe në zgjedhjet e 22 tetorit ka kundërshtuar kandidaturën e këtij të fundit duke pretenduar që vetë të kandidojë në emër të PDK-së.

Ai e konfirmoi për KALLXO.com se është marrë në pyetje nga policia për disa deklarata që kishte dhënë rreth Lladrovcit.

“Po është e vërtetë që jam intervistuar nga ana e policisë por jo për kanosje dhe dëmtim prone. Jam intervistuar pasi qe gjoja se jam deklaruar në media që tash e tutje do t’i qërojmë hesapet me zotri Lladrovcin. Është e vërtetë që do t’i qërojmë hesapet por më 22 tetor i qërojmë hesapet me të, ia tregoj atij qejfin e fitores”, tha Bazaj.

Ai konfirmoi se personi i arrestuar për incidentin e të hënës në mbrëmje është vëllai i tij.

“Të arrestuarin e kam vëlla… Jo, nuk është personi që e ka kanosur por ka qenë turma e qytetarëve që kanë protestuar”, tha Bazaj për KALLXO.com.