Naim Bazaj ia kopjon programin politik 'tarakut'

Kandidati për kryetar të degës së PDK-së në Drenas, Naim Bazaj e ka kopjuar pothuajse krejtësisht programin e bashkëpartiakut të tij, Sami Lushtakut të vitit 2013.

Në zgjedhjet e nesërme për kryetar të degës së PDK-së në Drenas, Bazaj do ta shpalos një program para delegatëve që është i ngjashëm me atë që Sami Lushtaku në 2013 e kishte prezentuar para këshilltarëve komunal.

Programi për Skenderajt i Samit Lushtakut që është i publikuar edhe në ueb-faqen e komunës së Skenderajt ka 46 faqe, ndërsa ai i Bazajt 15 faqe.

Ky i fundit e ka dërguar programin e tij në adresën e KALLXO.com.

Nisja e programit të dy personazheve është i njëjtë. Dytë e fillojnë me shërbimet cilësore për qytetarët.

“Shërbimet cilësore qё mbështesin një ekonomi tё begat dhe mjedisin e shëndetshëm”, është titulli i kapitullit të programit tek të dy kandidatët.

Edhe parathënie e këtyre dy programeve është pothuajse e ngjashme.

Katër prioritetet e Bazajt janë plotësisht të ngjashme ato të programit të Lushtakut në 2013. Edhe fjalit janë të njëjta, vetëm janë ndryshuar fjalët që me u qujtë program qeverisës dhe me ju përshtat Drenasit.

Mbështetja e zhvillimit të ekonomisë lokale, përmirësimi i shëndetit, mirëqenies dhe sigurisë së qytetarëve, Përmirësimi i mjedisit ku jetojmë në një mënyrë të qëndrueshme dhe Sigurimi i një administrate lokale efektive e cila i plotëson nevojat e qytetarëve, janë katër prioritetet e njëjta në të dyja programet.

4 paragrafët e para të fjalimit që Sami Lushtaku e kishte lexuar para këshilltarëve, gjenden edhe në fjalimin e Bazajt që pritet ta lexoj para delegatëve të PDK-së.

Pastaj në vazhdimin e programit të Bazajt, disa pjesë të programit të Lushtakut vetëm janë “redaktuar” duke u shkurtuar, mirëpo kuptimi i tyre është plotësisht i njëjtë.

“Duke ndërtuar mbi pasuritë natyrore të Skenderajt dhe vendosmërinë e popullit të saj, unë jam i bindur se ne mund të arrijmë shumë për njerëzit që jetojnë dhe punojnë këtu”, shkruhet në programin e Lushtakut të publikuar në vitin 2013.

“Duke e marr për bazë kapacitetet dhe resurset e Drenasit dhe vendosmërinë e qytetareve të saj, unë jam i bindur se ne mund të arrijmë shumë për njerëzit që jetojnë dhe punojnë këtu”, shkruhet në programin e Bazajt për zgjedhjet e brendshme për degën e Drenasit, në maj të 2019.

“Natyrisht, ka shumë sfida me të cilat duhet të përballemi gjatë përmbushjes së këtyre propozimeve, veçanërisht në klimën e tanishme ekonomike kombëtare dhe globale, e cila jo vetëm që vendos një kufizim të madh mbi burimet financiare në dispozicion, por ka zvogëluar investimet në tërë Evropën”, thuhet në programin e Lushtakut.

“Natyrisht, ka shumë sfida me të cilat duhet të përballemi gjatë përmbushjes së këtyre propozimeve, veçanërisht në klimën e tanishme politike e ekonomike kombëtare e rajonale dhe mё gjerё.”, thuhet në programin e Bazajt për kryetar të PDK-së në Drenas.

Se Bazajt, apo të tjerët afër tij e kanë kopjuar programin e Sami Lushtakut, shihet në pothuajse të gjithë paragrafët.

Disa paragrafë më poshtë, kur flitet për performancen e Komunës, përsëri, fjalimet në programet e dy politikanëve janë pothuajse krejtësisht të ngjashëm.

“Ky plan i punës është në thelbin e objektivave të menaxhimit të performancës së Komunës dhe do të ndihmojë të sigurohen rezultate të mira për qytetarët pasi që ai formon një bazë transparente me të cilën e gjithë puna dhe arritjet mund të monitorohen dhe t’u raportohet qytetarëve”, thuhet në programin e Lushtakut.

“Ky Program përfshin nё vetvete edhe thelbin e objektivave të menaxhimit të performancës sonё dhe do të ndihmojë të sigurohen rezultate të mira për qytetarët pasi që ai formon një bazë transparente me të cilën e gjithë puna dhe arritjet mund të monitorohen dhe t’u raportohet  elektoratit dhe qytetarëve”, thuhet në programin e Bazajt.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Naim Bazaj thotë se arsye se pse e ka marrë programin e Sami Lushtakut për Skenderajt është se ka rezultuar me punë dhe sukses.

“Po qa po mendoni, ai program i Serbisë nuk është. Unë po du programin e ngjashëm, sepse Komunë që ka ecur më shumë se ajo e Skenderajt s’ka pasur në Kosovë, për komunat e vogla”, tha Bazaj për KALLXO.com.

“Kysmet Zotit, qashtu kemi me i grah, sikur ai taraku”, tha Bazaj kur u pyet nëse po pretendon të Qeverisë më Drenasit, sikur Lushtaku me Skenderajn.

Në zgjedhjet e nesërme janë dy kandidatë që kanë paraqitur kandidaturët për kryetar të degës së PDK-së në Drenas.

Naim Bazaj dhe Sejdi Hoxha që është edhe kryeshefi i Postës së Kosovës.

Zgjedhjet për kryetar të kësaj dege ishin paraparë të mbahen në fillim të këtij muaji, por ishin shtyrë nga kryetari aktual, Ramiz Lladrovci.

https://kallxo.com/shtyhet-kuvendi-zgjedhor-ne-drenas-naim-bazaj-pretendon-se-po-behet-per-pazare-politike/

Këtu mund ta gjeni programin e Sami Lushtakut të 2013.