Arbërie Nagavci - Foto: KALLXO.com

Nagavci i përgjigjet akuzave të deputetes Haxhiu: E ulët e tendencioze

Deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu, në seancën e Kuvendit të Kosovës te pika jashtë rendit të ditës, ka akuzuar deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, se po “plaçkitë” mësimdhënësit.

Kjo për arsye se sipas Haxhiut, mësimdhënësit në Kosovë po maltretohen për thirrje, për trajnime duke paguar nga 250 euro.

KALLXO.com ka kontaktuar me deputeten Arbërie Nagavci e cila i quajti të ulëta akuzat e deputetes Haxhiu.

“Është shumë e ulët, jo profesionale dhe tendencioze fjala e deputetes Haxhiu, duke marrë parasysh se ajo është edhe anëtare në Komisionin e Arsimit dhe duhet të kishte informata për mbarëvajtjen e procesit mësimor”, tha Nagavci për KALLXO.com.

Ajo tregon se është trajnerë e certifikuar nga disa organizuat të njohura ndërkombëtarisht.

“Jam mundu me kontribu në aspektin profesional dhe ruajtja e aspektit profesional. Nesër do të jem në një trajnim se bashku me një kolege, jemi 12- 13 trajner që jemi të certifikuar ndërkombëtarisht të cilët ofrojmë trajnime në qendra të ndryshme”, shtoi ajo.

Unë vazhdoj angazhimin tim profesional për të cilën kam thirrje dhe e përgatitur, me akuza e shpifje tendencioze dhe të pabazuara për qëllime personale mendoj se nuk ja vlen me u marrë, do ta shoh incizimin dhe gjatë ditës sot të bëj një reagim për opinionin jo për deputeten Haxhiu pasi që ajo është e qartë që ka qëllim tendencioz”, ka thënë për KALLXO.com, deputetja Nagavci.

Ajo shpjegoi edhe deklaratën e Haxhiut në lidhje me pagesën e trajnimeve nga ana e mësimdhënësve.

“Unë nuk kam ndërmarrë as organozu asnjë trajnim. Jam trajnerë e çertifikuar e cila jam kontraktuar për të ofruar trajnim. GIZ me Ministrinë e Arsimit dhe disa tjera organizata kanë marrëveshje për ofrim të trajnimeve për mësimdhënësve, për të cilat pagesat ndërmerren sipas marrëveshjes me organizatën, ka pasur trajnime  250 euro, 240 euro por pagesat bëhen sipas kontratave dhe marrëveshjeve”, shtoi ajo.

Ajo tregoi se nuk ka mbajtur trajnime në Prishtinë për shkak të konfliktit të interesit, pasi që ka qenë Drejtoreshë e Arsimit në Komunën  e Prishtinës.

“Unë nuk kam asnjë organizatë jo qeveritare dhe nuk kam pasur asnjëherë, unë vetëm jam trajnere e çertifikuar dhe për këtë thirrem në trajnime”, tha në fund të bisedës me KALLXO.com, deputetja Nagavci.

Gjatë ditës, Nagavci ka reaguar për herë të dytë në lidhje me akuzat e deputetës të AAK-së, Teuta Haxhiu ndaj saj.

Nagavci përmes një postimi në profilin e saj në Facebook këto akuza nga ana Haxhiut i ka quajtur shpifje.

“E tëra që mund të them për zonjën në fjalë është se më vjen keq të shoh se si ajo është edhe anëtare e Komisionit për Arsim, duke qenë krejtësisht jo kompetente e injorante në çështjet e arsimit e poashtu aspak profesionale apo e kujdesshme në aspektin etik. Për ata që nuk më njohin dhe për opinionin e gjërë mund të deklaroj se unë kam më shumë se njëzet vite që punoj në fushën e arsimit në pozita të ndryshme dhe më shumë se dhjetë vite që jam e angazhuar në trajnime, konsulenca e bashkëpunime tjera profesionale me institucione dhe organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare”, ka shkruar Nagavci.