Zëvendëskryeministri i Italisë, Matteo Salvini, nga partia Liga e krahut të djathtë - Foto: REL/AFP

Nacionalistët europianë formojnë aleancë për zgjedhjet në PE

Partitë nacionaliste në Europë shpallën një aleancë, me qëllim të, siç thanë, ndryshimit të balancës së pushtetit në Bashkimin Europian.

Zëvendëskryeministri i Italisë, Matteo Salvini, nga partia Liga e krahut të djathtë, e bëri publik lajmin në një konferencë për gazetarë në Millano.

“Lajmi është se ne po e zgjerojmë komunitetin tonë, familjen tonë. Po punojmë për një ëndërr të re europiane. Sot, për shumë njerëz, Bashkimi Europian është një makth dhe jo një ëndërr. Ne po punojmë për të hapur vende të reja pune, për sigurinë, për mbrojtjen e mjedisit dhe për të ardhmen e të rinjve”, tha mes tjerash Salvini.

Të pranishëm në konferencë ishin edhe përfaqësues të partive tjera nacionaliste: Alternativa për Gjermaninë, Partia e Finlandës dhe Partia Popullore e Danimarkës.

Të gjitha këto po bëjnë fushatë për zgjedhjet e Parlamentit Europian, që do të mbahen nga data 23 deri më 26 maj.

Duke konkurruar në vende të ndryshme, ato planifikojnë të formojnë një grup parlamentar, i quajtur Aleanca Europiane për Popullin dhe Kombet, për të sfiduar, siç thanë, fuqinë e partive të qendrës.

“Ne duam të reformojmë Bashkimin Europian dhe Parlamentin Europian, pa i shkatërruar ata. Ne duam të sjellim ndryshime rrënjësore”, tha kreu i Alternativës për Gjermaninë, Jorg Meuthen.

Ai shtoi se në grupin e ri parlamentar do të marrin pjesë së paku dhjetë parti.

Sipas rregullave të Parlamentit Europian, një grup duhet të përbëhet nga së paku 25 deputetë që vijnë nga së paku shtatë vende të BE-së. (REL)