Foto: Kallxo.com

MZhE tenton ta mbyllë kontestin PSD-VV, por e thellon edhe më shumë

Ndërmarrja Publike Banesore vazhdon të jetë mollë sherri mes Vetëvendosjes dhe Partisë Social Demokrate. Pozita e Ushtruesit të Detyrës së Kryeshefit të kësaj ndërmarrje ka ndarë në dysh ata që dikur ishin bashkë.

Drejtori i Drejtorisë së Pronës, Dren Kukaj, ka publikuar sot një vendim të Ministrisë për Zhvillim Ekonomik duke e interpretuar atë në favor të ‘kauzës’ që PSD po e ndjek rreth këtij kontesti. Por, ndryshe thotë asambleisti i VV-së, Egzon Azemi.

Sipas Kukajt Ministria e Zhvillimit Ekonomik me një opinion ligjor i dha te drejtë Komunës së Prishtinës në raport me paqartësitë lidhur me Ndërmarrjen Publike Banesore në dy çështje.

“Vendimi ynë për emërimin e ushtruesit të detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv është i ligjshëm dhe nuk mund te ushtrosh detyra publike kur të skadon mandati i caktuar me ligj”, ka shkruar ai në Facebokk.

“Tashmë edhe zyrtarisht konfirmohet se Nexhat Kryeziu është kryeshef i jashtëligjshëm”, ka thënë Kukaj.

Por, Egzon Azemi Asambleist në Komunën e Prishtinës dhe aksionar në Ndërmarrjen Publike Banesore thotë krejt të kundërtën.

“Bordi i drejtoreve duhet të kryej një procedure të hapur, transparente dhe konkurruese e cila për qëllim ka që të gjitha emërimet të bëhen në bazë të meritës. Pra, NjPMNP konsideron se kjo norme është e qartë, rrjedhimisht mos aplikimi i saj, paraqet shkelje të dispozitave ligjore në fuqi”, ka shkruar ai.

Sipas tij, në emërimin u.d Kryeshef ekzekutiv, ka shkelje te ligjit për Shoqëri Tregtare, përkatësisht nenin 193, paragrafi 193.3 dhe 194.4.

“Kjo situatë tashme është krejtësisht e qartë. Kuvendit i mbetet ta zgjedh edhe një aksionar dhe të hapet konkursi i rregullt për bord, i cili e ka për obligim edhe zgjedhjen e Kryeshefit”, ka shkruar ai.

Hajdar Hoxha është emëruar Ushtrues Detyre i Kryeshefit Ekzekutiv, të cilit në fillim të javës iu ndalua të hyjë në objektin e NPB-së.

Ky është vendimi i MZHE-së:

https://kallxo.com/kryeshefit-ekzekutiv-te-npb-se-i-ndalohet-hyrja-ne-objekt/

https://kallxo.com/kukaj-ne-npb-qendrojne-persona-te-cileve-u-ka-skaduar-mandati/

https://kallxo.com/video-npb-fushebeteja-e-re-komunale-psd-vv/