MZhE pagoi udhëtimin e zyrtares për mbrojtjen temës së masterit

Në emër të shpenzimeve për udhëtime zyrtare, Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) kishte paguar shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit zyrtares së saj për mbrojtjen e temës së masterit.

Këtë pagesë Auditori e sheh në kundërshtim me ligjin përderisa MZhE thotë të kundërtën, për ngritje profesionale.

Auditori gjen se Mistria duke u thirrur në shpenzimet zyrtare, ia pagoi shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit jashtë vendit zyrtares për mbrojtën e temës së masterit.

“Ne kemi identifikuar një rast ku ministria ka aprovuar dhe paguar vlerën 538€ për ushqim dhe akomodim, në emër të shpenzimeve për udhëtim zyrtar për ceremoninë e diplomimit/përfundimin e programit të masterit në Angli, ndërsa ky udhëtim është jashtë detyrave dhe qëllimeve zyrtare. Kjo ka ndodhur si rezultat i neglizhencës për të respektuar kërkesat ligjore”, thuhet në të gjeturën e raportit.

Zyra Kombëtare te Auditimit (ZKA) tregon se sipas Udhëzimit Administrativ nr. 2004/07 për shpenzimet e udhëtimit zyrtarë jashtë vendit, neni 2 përcakton se udhëtimet zyrtare nënkupton udhëtimet të cilat kanë një destinacion apo qëllim i cili shërben për kryerjen e detyrave zyrtare në interes të Qeverisë së Kosovës dhe të shërbimit civil të Kosovës.

Auditori thotë udhëtimet jo zyrtare në kundërshtim me ligjin dhe e dëmtojnë buxhetin.

Ministrit iu rekomanduar të sigurohet që mjetet përdoren vetëm për qëllime zyrtare ndërsa për shpenzime të parregullta të kthehen.

“Ministri duhet të siguroj respektimin e rregullave në fuqi që shpenzimet për udhëtime zyrtare të bëhen vetëm për qëllime zyrtare dhe për të gjitha shpenzimet e pa rregullta, të bëhet kthimi i mjeteve në buxhetin e ministrisë”, thuhet në rekomandimin e ZKA-së.

Ministria s’pajtohet, është ngritje profesionale

Lidhur me këtë të gjetur të Auditorit, Ministria nuk është pajtuar. Ata në komentin e tyre drejtuar ZKA-së, tregojnë bazën ligjore në bazë së cilës e realizuan këtë shpenzim.

“Bazuar ne Ligjin për Shërbimin Civil neni 35 parasheh përkrahjen në ngritje profesionale te zyrtareve”, thotë Ministria.

Në anën tjetër ZKA thotë se e gjetura dhe rekomandimi mbetet pasi që pagesa e udhëtimit nuk ka qenë për qëllime zyrtare.

“Neni 35 i ligjit për shërbyes civil parasheh trajnimin e stafit për shërbime profesionale ndërsa zyrtares në fjalë i janë hequr shpenzimet e udhëtimit për mbrojtje të temës së Masterit jashtë vendit dhe kjo nuk paraqet trajnim profesional por shkencor. Në mungesë të dëshmive shtesë dhe justifikimeve të pabaza, gjetja dhe rekomandimi mbeten apo nuk ndryshohen”, thuhet nga pikëpamja e ZKA-së.