MZhE: Ne në Qeveri dorëzuam 4 kandidatë për ZRrE

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, nuk ka pranuar të flasë për emisionin ‘Drejtësia në Kosovë’.

Kabineti i tij ka dërguar përgjigje me shkrim në pyetjen se e a ka ditur MZhE që ndryshe është votuar e ndryshe është shtypur vendimi i Qeverisë për kandidatët për kryesues të Bordit të ZRrE-së.

MZhE thotë se ka dorëzuar në Qeveri 4 kandidatë, ndërsa Kuvendit i janë propozuar 2 kandidatë.

“Në propozimin e saj, Ministria e udhëhequr nga Ministri Valdrin Lluka, ka proceduar në mbledhjen e Qeverisë katër kandidatë, sipas Rekomandimit nga Komisioni rekrutues për pozitën Kryesues i Bordit të Zyrës së Rregullatori të Energjisë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të kësaj kësaj Ministrie.

Tutje, MZhE thotë se  Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të datës 24 korrik 2018, në mbështetje të nenit 4 të Rregullores nr.02/2011 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive si dhe Rregullores së Punës së Qeverisë ka nxjerr vendim që Kuvendit të Republikës së Kosovës t’i propozojë 2 kandidatë.

“Pra, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka procedua në Mbledhje të Qeverisë të gjithë emrat e propozuar nga Komisioni rekrutues për pozitën Kryesues i Bordit të Zyrës së Rregullatori të Energjisë, ndërsa Qeveria e Republikës së Kosovës në përputhje me kompetencat e saj i ka propozuar Kuvendit dy kandidatë”.

Më 16 tetor, ministri Valdrin Lluka në mbledhjen e Qeverisë propozoi që të shtohen dy kandidatët, Fadil Ismajli dhe Përparim Kabashi, të cilët ishin hequr në mënyrë misterioze nga lista, ani pse të njëjtit ishin votuar edhe në mbledhjen e 24 korrikut.

Për pozitën e kryesuesit të Bordit të ZRrE-së, ishin miratuar 4 emra: Petrit Pepaj, Bekim Jakupi, Përparim Kabashi dhe Fadil Ismajli. Dy të fundit ishin hequr në mënyrë të dyshimtë nga lista, ani pse ishin votuar në mbledhjen e Qeverisë.

Hulumtimin e plotë të ‘Drejtësia në Kosovë’ për këtë rast mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:

 

www.kallxo.com