Vizitorë në muzeun “Solomoni” në lagjen Kala të qytetit të Beratit. Foto: Eriola Azizolli.

Muzeu i vogël i hebrenjve të shpëtuar në Berat tërheq mijëra turistë të huaj

Mbi katër mijë vizitorë nga 41 shtete të botës kanë vizituar një muze të hapur vullnetarisht prej hulumtuesit Simon Vrusho, kushtuar historisë së hebrenjve në qytetin e Beratit. Njeriu që e ideoi dhe e realizoi muzeun ndërroi jetë pak muaj më parë, por e shoqja vazhdon të mbajë dyert hapur, duke u përballur me sfidat dhe pritur vizitorët.

Laura Cantoni nga Rovella e Italisë thotë se ka realizuar një ëndërr duke vizituar Shqipërinë dhe në ndalesën e parë pas Tiranës, mbërriti në qytetin e Beratit së bashku me bashkëshortin e saj. Ndërsa ecin në rrugën e kalldrëmtë drejt lagjies “Kala”, çifti italian i dashuruar pas udhëtimeve merr një kthesë, pasi një tabelë e vogël i fton brenda një muzeu.

Çdo vizitor i huaj apo vendas habitet nga prania e muzeut “Solomoni”, i hapur në maj të vitit 2018 dhe që ngjason më tepër me një dyqan modest suveniresh. Ai ndodhet në rrugën kryesore të kalasë dhe i kushtohet kujtesës së Holokaustit dhe veçanërisht historisë së hebrenjve në qytetin e Beratit.

Një grua trup-vogël, e veshur në të zeza i fton turistët që të futen brenda.

Angjelina Vrusho, e veja e themeluesit të muzeut, Simon Vrusho nuk di të flasë gjuhë të huaja, por i mjaftojnë disa fjalë përshëndetjeje të mësuara kohët e fundit në anglisht për të afruar vizitorët kureshtarë.

“Njëzet vite pune dhe shpenzimet e tre viteve të pensionit, kaq iu desh tim shoqi për të hapur muzeun,” thotë Angjelina. Kur bashkëshorti i saj u nda nga jeta në shkurt të këtij viti, Angjelina u betua se do  ta mbante hapur muzeun që ai ngriti krejtësisht i vetëm, me aq dashuri, pasion dhe përkushtim.

Muzeu “Solomoni” është i fokusuar kryesisht te shpëtimi dhe strehimi i mbi 600 hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore në qytetin e Beratit. Ai synon gjithashtu të sjellë dëshmi për një periudhë gati 500-vjeçare, nga viti 1520 kur mendohet se në Berat u vendosën 25 familjet e para hebreje pas mbërritjes së tyre nga Italia dhe Spanja.

Muzeu i vogël është kthyer në një atraksion të ri për vizitorët vendas dhe të huaj në qytetin turistik të Beratit. Angjelina Vrusho i tha BIRN se 4 mijë vizitorë nga 41 shtete të botës janë regjistruar në librin e përshtypjeve që mbante i shoqi, ndërsa vetëm në dy muajt e fundit ajo numëron rreth 300 vizitorë të tjerë.

Muzeu është i mbushur kryesisht me foto, faksimile, dokumente orgjinale dhe të dhëna mbi toponimet hebraisht; produkt i shumë viteve punë nga Simon Vrusho.

Hyrja e muzeut “Solomoni”, i hapur nga hulumtuesi Simon Vrusho një vit më parë në qytetin e Beratit. Foto: Eriola Azizolli.

Me anë të tyre, por edhe të dëshmive të mbledhura nga hulumtuesi Vrusho, në këtë muze eksplorohet lagjja e hebrenjve në Berat, lista e hebrenjve të strehuar në qytet gjatë Luftës së Dytë Botërore, foto të familjeve beratase që kanë strehuar në banesat e tyre hebrenj, foto të tyre gjatë kohës që kanë jetuar në këtë qytet si dhe nxënësit hebrenj, të cilët ndoqën shkollën në Berat.

“Punë, hulumtime, kërkime në çdo vend, për të zbuluar se ku fshiheshin të vërtetat, sepse ka dhe familje të tjera që kanë thënë që kemi mbajtur hebrenj, por nuk janë nxjerrë në këtë muze, sepse nuk kanë pasur dokumente. Sepse çdo gjë e ka të dokumentuar,” thotë Angjelina me krenari në lidhje me përmbajtjen e këtij muzeu dhe punën e të shoqit.

Për kontributin e tij, studiuesi Simon Vrusho u vlerësua pak para vdekjes nga bashkia e Beratit me titullin “Njeriu i vitit 2018’, me motivacionin: “Për kontributin e tij në çeljen e muzeut “Solomoni”, i pari muze në vendin tonë kushtuar hebrenjve.

Por pas humbjes së të shoqit, e veja përballet e vetme me sfidën për t’i mbajtur dyert hapur. Angjelina thotë se qiraja është e paguar deri në muajin shtator, dhe më pas shpreson që të gjejë mbështetje.

“Ndihma të vogla kam marrë, por në të ardhmen nuk di se si do të shkojë fati i këtij muzeu. Shpresoj që të më ndihmojnë,” thotë Angjelina për BIRN.

Në muze vizitorët janë me guida në një pjesë të mirë të rasteve dhe për Angjelinën gjithçka është më e lehtë, pasi ajo bën ciceronen në gjuhën shqipe. Kurse për rastet kur vizitorët janë të pashoqëruar, në ndihmë i vijnë shpjegimet e vendosura në gjuhën angleze në stenda.

Në hyrje të muzeut qëndon dhe një kasë e vogël, ku çdo vizitor në mënyrë modeste hedh diçka sipas dëshirës, por që për Angjelinën do të thotë shumë, pasi prej saj varet dhe fati i muzeut.

Laura Cantoni dhe bashkëshorti i saj, të cilët BIRN i hasi në muze, kanë ngelur të surprizuar nga kjo pjesë e panjohur e historisë shqiptare, ndërkohë që inkurajojnë Angjelinën që ka mbajtur hapur muzeun.

“Është një kërkim historik, interesant,  që i përshtatet këtij vendi dhe zonja me kurajo ka marrë  angazhimin e burrit të saj për ta bërë të njohur këtë pjesë të historisë së këtij qyteti të vogël për të gjithë turistët që vijnë nga e gjithë Europa,” tha turistja italiane.

“Dhe sigurisht që të njihet edhe nga  brezat e të rinjve, që ndoshta e kanë të vështirë që të kujtojnë këtë histori,” shtoi ajo për BIRN.