Isa Mustafa

Mustafa thumbon Thaçin e Haradinajn pas Samitit të Berlinit, kërkon zgjedhje sa më parë

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se takimi i Berlinit mbajtur dje, ka dhënë rezultate normale.

Sipas Mustafës, ky takim dërgoi mesazhe që Evropës i nevojitet një Ballkan Perëndimor i cili nuk gjeneron konflikte dhe kriza, por paqe.

“Nga pritjet spektakolare, takimi i Berlinit dha rezultate normale për një përbërje të tillë. Dërgoi mesazhe që Evropës i nevojitet një Ballkan Perëndimor i cili nuk gjeneron konflikte dhe kriza, por paqe. Nuk ofroi modele dhe nuk përjashtoi modele. Sikurse Kancearja gjermane, Merkel, ashtu edhe Presidenti i Francës, Macron, i përsëritën qëndrimet e tyre të njohura për marrëveshjen Kosovë- Serbi”, ka shkruar lideri i LDK-së, në Facebook.

Ai ndër të tjera ka shtuar se nuk ka qenë e pritshme që presidentët dhe kryeministrat e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor do të vendosnin për çështjet e Kosovës dhe Serbisë në një takim të tillë.

“Për këto çështje vendoset në takimet e këtyre dy vendeve me ndërmjetësim të BE-së (pasi të kryhen zgjedhjet në PE) dhe me një rol të fuqishëm të SHBA-së”, vlerësoi Mustafa.

Deklarimet e presidentit Hashim Thaçi dhe të kryeministrit Ramush Haradinaj, Mustafa tha se janë bërë për konsum të brendshëm.

“Deklaratat e Presidentit Thaçi se atje do të zgjidhë problemin e liberalizimit të vizave dhe atë të Luginës së Preshevës si dhe ato të Kryeministrit Haradinaj për tarifat dhe kufijtë ishin për konsum të brendshëm, dhe u shuan ende pa u kthyer ata në Kosovë. U shuan sikurse uniteti i delegacionit të shqiptarëve, që i bëri bashk aeroplani i Behxhet Pacollit deri në Berlin, por në Berlin dikush fliste me Merkel dhe Macron e dikush ia rrihte krahët Presidentit të Serbisë”, vijon postimi i tij.

Lideri opozitar ka shprehur pesimizëm për një marrëveshje të qëndrueshme Kosovë-Serbi.

“Është iluzion të pritet një marrëveshje e qëndrueshme me Serbinë, në qoftë se paraprakisht nuk krijohet një zë i përbashkët i institucioneve të Kosovës dhe i opozitës dhe pozitës për këtë çështje. Për një zgjidhje të tillë duhen të ndodhin zgjedhjet sa më parë në Kosovë”, thuhet në publikimin e tij në Facebook.

Ndërkaq, takimi disa orësh i liderëve të Ballkanit Perëndimor me liderët gjermanë dhe francezë doli pa rezultat sipas Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

Samitin e Berlinit dhe më pas darkën e përbashkët të liderëve, Thaçi e përshkroi me një fjali: “Jemi pajtuar që të mos pajtohemi”.

Ai tha se takimi ka qenë i rëndë dhe pa rezultate konkrete.