Mustafa: S’jam penduar që e kemi zgjedhur president Thaçin

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha sot se nuk është penduar që e ka zgjedhur president, Hashim Thaçin.

“Unë s’jam penduar që e kemi zgjedh Thaçin president. Vendimi i gjykatës kushtetuese na ka bërë që ne të mos mund ta qeverisim këtë vend pa bërë koalicion me ndonjë parti tjetër. Thaçin e kemi votuar për president se e kemi respektuar marrëveshjen, por që s’e ka respektuar Thaçi dhe PDK-ja, pra është te ata qe s’e kanë respektuar marrëveshjen.Në atë kohë të bashkëqeverisjes mendoj që kemi qeverisur në mënyrë korrekte. Edhe sot e them që ata ministra kanë punuar mirë, por nuk pajtohem me diskursin politik që tash e ka marr PDK-ja”, tha Mustafa në një konferencë për media pas takimit me partinë e tij.

Ai po ashtu kërkoi që vendi të shkojë sa më shpejtë në zgjedhje, pasi sipas tij po rrezikohen marrëveshjet e bërë me BE-në.

“Kjo qeveri duhet të ndërroj sjelljen e vet, duhet të shkoj në shtëpi, sepse kjo qeveri ka vënë në pikëpyetje marrëdhëniet tona me Bashkimin Evropian, në pikëpyetje edhe agjendën e reformave të BE-së. Qeveria po tenton ta hedhë fajin për mos liberalizim tek bashkimi evropian, janë po këta të cilët e kanë vonuar demarkacionin. Kjo qeveri ka ministra të cilët dyshohen qe kanë kryer vepra kriminale”, tha Mustafa.

Lideri i LDK-së ka komentuar edhe letrën e presidentin amerikan, Donald Trump.

“Ne e kemi vlerësuar letrën e presidentit Trump që procesi i dialogut të shkoj karshi ShBA-ve. Për neve është e pakuptimtë qe institucionet i shton masat e taksës 100% në vend që të ketë konsiderate ndaj një letre të një presidenti si Trump. Ne si LDK mbesim të përkushtuar që të përkrahim konceptin e dialogut që është në dobi të qytetarëve dhe që e kemi bërë ne si LDK”, shtoi Mustafa.

Ai tha se Kosova ka nevojë për ligjin për Referendumin.

“Ne në kushtetutë e kemi të përcaktuar referendumin si instuticion por kushtetuta thotë se duhet të nxirret ligji për të. Unë e di se ka pasur iniciativë edhe të subjekteve të tjera, nuk ka qenë vetëm e Kadri Veselit, por Kosovës I nevojitet një ligj I tillë dhe nevojitet që ligji të rregullojë mënyrën më të mirë të referundimit”, tha Mustafa për idenë e Veselit për ligjin për Referendumin.