Mustafa Pyetet për Temat e Dialogut

Në kohën e pyetjeve parlamentare, deputetja e PDK-së Blerta Deliu e pyeti Kryeministrin Mustafa rreth rolit të tij dhe temave që do të trajtohen në dialogun e Brukselit.

Mustafa në përgjigjen për deputeten tha se me Presidentin Thaçi dhe kryeparlamentarin Veseli do të diskutojë rreth formatit të këtij dialogu.

Më tutje Mustafa shpjegoi se si e sheh përfundimin e dialogut.

“Konsiderojmë që ky proces duhet të mbyllet me njohjen e Kosovës nga Serbia, demarkacionin ndërkombëtar me Serbinë”, tha Mustafa.

Mustafa premtoi edhe shtrimin e çështjes së të pagjeturve në dialogun Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të BE-së.

“Çështje e të pagjeturve në Bruksel që u bë takimet e para, kur ka nisë dialogu. Do ta shtrojmë edhe ma tutje këtë çështje, do të kërkojmë të behet presion nga BE-ja në Serbi. Do të kërkojnë hapjen e arkivave të ish-Ushtrisë së Jugosllavisë për të pagjeturit”, tha Mustafa.

Çështja e të pagjeturve por edhe dëmshpërblimi për dëmet e luftës ishin temat e dialogut të kërkuara nga qytetarë të Kosovës që u anketuan nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

http://kallxo.com/qytetaret-duan-ceshtje-tjera-ne-dialogun-e-brukselit/