Mustafa: Presidenti Herzog Dha Kontribut të Çmuar për Lirinë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, me rastin e ndarjes nga jeta të ish-presidentit federal gjerman, Roman Herzog, u ka shprehur ngushëllime kancelares Angela Merkel dhe popullit gjerman.

Duke shprehur ngushëllimet e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës, kryeministri Mustafa ka vlerësuar rolin e ish-presidentit Herzog në fuqizimin e rolit të Gjermanisë, me theks të posaçëm në marrjen e përgjegjësive ndërkombëtare, në një periudhë shumë të rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj.

“Gjermania në kohën kur Roman Herzog ishte President Federal dha një kontribut shumë të çmuar për lirinë e Kosovës, duke ofruar përkrahje të pakursyer edhe për popullin e Kosovës në momentet më të vështira të ballafaqimit me terrorin shtetëror dhe ushtarak të Serbisë”, thuhet në mesazhin e kryeministrit Mustafa.

Ish-presidenti gjerman ka vdekur dje në moshën 82-vjeçare.