Mustafa: Nuk Duhet të më Sulmohet Shtëpia

Sulmi ndodhi më 26 shkurt, ditën kur u zgjodh Hashim Thaçi President, ndërsa opozita protestoi.

“Unë jam Kryeministër i vendit, nuk jam shenjë që kujt ti teket të gjuajë në mu dhe mendoj që këtë s’duhet ta lejojnë organet e drejtësisë, që të më sulmohet shtëpia. S’kam dashur që të deklarohem publikisht, por në qoftë se një shtëpi e Kryeministrit sulmohet me koktej molotovi, atëherë këtu diçka nuk është në rregull,” tha Mustafa.

Mustafa tha se “nuk shoh asnjë arsye që opozita të sillet kështu, nuk shoh asnjë arsye që opozita të na sulmojë, si në Kuvend si jashtë Kuvendit”.

Kryeministri tha se kushtetuta nuk është shkelur me marrëveshjen për parimet e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Në asnjë rast nuk është cenu asnjë nen, asnjë pikë e Kushtetutës së Kosovës dhe në asnjë rast qeveria se ka bërë dhe s’do ta bëjë këtë … i ftojmë opozitën dhe qytetarët që ata të jenë përkrahës të ndërtimit të vendit të zhvillimit dhe të demokracisë dhe zhvillimit të institucioneve,” tha Mustafa.

Në vendimin e saj për parimet e asociacionit, më 23 dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese konstatoi se këto parime nuk janë në pajtim të plotë me frymën e Kushtetutës. [interaction id=”56e15ef5251215382eb5e70b”]