Takimi Mustafa-Gashi | Foto: KALLXO.com

Mustafa në AKP për ‘Trepçën’ dhe Uzurpimet

Pas takimit Mustafa e Gashi iu përgjigjën pyetjeve të medieve, duke treguar edhe për çfarë folën.

“Diskutim për proceset që jemi tu i zhvillu dhe për proceset e përbashkëta qe duhet me u koordinu me kuvendin e qeverinë që me provu me përmbyll procesin e privatizimit sa ma shpejt. Diskutim i frytshëm për hapat e mëtutjeshëm,” konstatoi kryesuesi i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit Petrit Gashi.

Kryeministri Mustafa lavdëroi punën e Bordit të AKP-së.

“6 muaj punë mjaft e mirë dhe e mbështetur në ligj. Kërkuam qe të zbatohet ligji në përpikëri në të gjitha proceset që kanë mbet dhe ato të ardhshmet. Qeveria nuk do të përzihet në asni rast në punën e agjencisë. Shprehëm interesimin që do të kemi një plan se si do të përmbyllet puna e agjencisë,” tha Mustafa.

Kryeministri nuk la pa përmendur as aksionet për lirimin e pronave të uzurpuara të zhvilluara nga AKP-ja me ndihmën e policisë.

“Është bërë një punë e mrekullueshme sa i përket lirimit të pronave të uzurpuara. Shumica kanë qenë blerës bashkatdhetarët që i kanë ble e tek tash mujnë me i shfrytëzu,” tha Mustafa.

Për aksionin e 6 majit gjatë të cilit u liruan disa objekte të uzurpuara shkroi KALLXO.com.

http://kallxo.com/policia-ne-aksion-per-largimin-e-uzurpatoreve-nga-pronat-e-akp-se/

Bordi aktual i AKP-së kur mori detyrën në shkurt paralajmëroi publikimin e emrave të uzurpatorëve dhe lirimin e pronave të uzurpuara.

http://kallxo.com/te-henen-akp-ja-publikon-uzurpatoret/

Mustafa e Gashi u pyetën edhe për një aksion të para gjashtë ditësh për lirimin e pronave të AKP-së në veri.

“Nuk e biseduam në mënyrë specifike. Por përkrahëm dhe do të përkrahim këtë proces,” tha shkurt Mustafa, ndërsa nikoqiri aksionin që nuk u zhvillua nuk e konsideroi të dështuar.

“Nuk ka dështu operacioni, jemi në koordinim me policinë dhe janë çështje operacionale me policinë. Secila pronë në secilin cep do të trajtohet njëjtë,” tha Gashi.

Mustafa tha se në takim u fol edhe për “Trepçën”.

“Biseduam edhe për punën e zgjidhjes së ‘Trepçës’, si interes i përgjithshëm për vendin. Drafti i ligjit për ‘Trepçën’ është përgatitë, nuk e di kur do ta procedojmë në kuvend, por para nëntorit ligji duhet të aprovohet në leximin e dytë,” tha Mustafa.

Mustafa tregoi deri ku kanë shkuar punët rreth privatizimit të Brezovicës.

“MTI-ja ka marrë dokumentacionin nga konzorciumi, do të analizohet dhe do ta vendosim këto ditë ja janë plotësu a jo kushtet,” tha Mustafa.

Konsorciumi francez “MDP Consulting-Compagnie des Alpes” në muajin dhjetor të vitit 2014, ishte shpallur fitues me një çmim prej 409 milionë eurosh, për privatizimin dhe zhvillimin e qendrës dimërore skitare në Brezovicë.