Foto: LDK

Mustafa: LDK unike për fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka falënderuar të gjithë që e kanë vizituar pas kthimit të tij nga Gjermania ku ishte duke u trajtuar pas një sëmundje që ka kaluar para disa muajve.

Ai ka treguar edhe për vizitën që i ka bërë kryeministri Haradinaj.

“Mbrëmë prita Kryeministrin Haradinaj, me të cilin diskutuam lidhur me qëndrimet e LDK-së për dialogun me Serbinë, qëndrime këto të cilat i kemi bërë publike si Kryesi e LDK-së dhe nga takimi me kryetarët e degëve të LDK-së”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Më tej ai ka shtuar se LDK është unike në çështjet madhore siç është edhe pozicionimi i saj lidhur me fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë.  

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.

Të dashur miq,  

Mbrëmë prita Kryeministrin Haradinaj, me të cilin diskutuam lidhur me qëndrimet e LDK-së për dialogun me Serbinë, qëndrime këto të cilat i kemi bërë publike si Kryesi e LDK-së dhe nga takimi me kryetarët e degëve të LDK-së. 

Pas kthimit tim në Kosovë, para tre muajsh, ku akoma jam në proces të rehabilitimit fizioterapeutik, më kanë vizituar Presidenti Thaçi, Kryeministri Haradinaj, zv.Kryeministri Limaj, zv.Kryeministri Pacolli si dhe Kryetari i VV-së, z.Kurti. 

Jam takuar me Ambasadorin e SHBA-së, Greg Delawie, me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ruairí O’Connell, më ka vizituar Ambasadorja e BE-së, znj.Apostolova dhe Shefja e EULEX-it, znj.Papadopoulou.
Të gjithëve u jam falenderues për kujdesin dhe korrektësinë e treguar.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë kontributin e saj në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës dhe këtë kontribut po e jep edhe tani si subjekt opozitar parlamentar. 

LDK është unike në çështjet madhore siç është edhe pozicionimi i saj lidhur me fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë. 

Të gjitha qëndrimet e LDK-së janë të koordinuara me Kryesinë e LDK-së, me nënkryetarët e LDK-së, me sekretarin e përgjithshëm, me shefin e Grupit Parlamentar, me nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e LDK-së dhe me kryetarët e degëve të LDK-së.