Foto: Kallxo.com

Mustafa: LDK do të iniciojë ndryshimin e Kodit Penal për sanksionimin e zyrtarëve që vënë në pikëpyetje Kushtetutën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka thënë se LDK do të iniciojë ndryshimin e Kodit Penal, me të cilin duhet të sanksionohet vepra penale për çdo zyrtar i cili e vë në pyetje Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën dhe shtetësinë e Kosovës. 

“Kjo nuk bëhet me Platformë dhe Ligj që nuk e mbrojnë Kosovën por i mbrojnë ata që dialogojnë”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Ai ka shtuar se Ekipi Negociator për dialogun me Serbinë është degradim i shtetësisë së Kosovës.

“Ky grup është kthim prapa, para vitit të shpalljes së pavarësisë, në kohën e UNMIK-ut, kur Kosova nuk kishte institucionet e veta me legjitimitet të plotë, pra mu atje ku e dëshiron Serbia dhe ata që e kontestojnë shtetësinë e Kosovës”, ka potencuar Mustafa.

Mustafa ka thënë se platforma e dialogut nuk ofron asgjë tjetër veç pritje të rrejshme në opinion. 

“As Ligji e as Platforma nuk e sanksionojnë përgjegjësinë e zyrtarëve shtetëror që lobojnë dhe pajtohen me shkeljen e Deklaratës së Pavarësisë, përkatësisht shtetësisë së shpallur më 17 shkurt 2008”, ka shtuar Mustafa. 

Ai ka thënë se dialogu duhet të zhvillohet nga një qeveri legjitime dhe me një Platformë e cila duhet të jetë produkt i një pajtimi të gjerë dhe të aprovohet me 2/3 në Kuvend ashtu si edhe Marrëveshja.

Postimi i plotë i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa: 

Grupi për dialog është degradim i shtetësisë së Kosovës! Ky grup është kthim prapa, para vitit të shpalljes së pavarësisë, në kohën e UNMIK-ut, kur Kosova nuk kishte institucionet e veta me legjitimitet të plotë, pra mu atje ku e dëshiron Serbia dhe ata që e kontestojnë shtetësinë e Kosovës.

Ligji për dialogun është dokument i turpit dhe shantazhimit të këtij koalicioni nga një parti e vogël në Kuvend që po ua siguron mbijetesën në kapje dhe zhvatje të shtetit. 

Platforma e dialogut nuk ofron asgjë tjetër veç pritje të rrejshme në opinion. As Ligji e as Platforma nuk e sanksionojnë përgjegjësinë e zyrtarëve shtetëror që lobojnë dhe pajtohen me shkeljen e Deklaratës së Pavarësisë, përkatësisht shtetësisë së shpallur më 17 shkurt 2008.

Absurdi qëndron në faktin se Patforma e hartuar nga një grup që nuk përfaqëson shumicën në Kuvend, synohet të aprovohet me shumicë të thjeshtë, kurse Marrëveshja kërkon të ratifikohet me 2/3 e votave të deputetëve në Kuvend. Askush nuk guxon ta bjerë Kuvendin para aktit të kryer! As Presidenti, as Kryeministri e as askush!

Dialogu duhet të zhvillohet nga një qeveri legjitime dhe me një Platformë e cila duhet të jetë produkt i një pajtimi të gjerë dhe të aprovohet me 2/3 në Kuvend ashtu si edhe Marrëveshja.

LDK do të inicojë ndryshimin e Kodit Penal, me të cilin duhet të sanksionohet vepra penale për çdo zyrtar i cili e vë në pyetje Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën dhe shtetësinë e Kosovës. Kjo nuk bëhet me Platformë dhe Ligj që nuk e mbrojnë Kosovën por i mbrojnë ata që dialogojnë.