Isa Mustafa - Foto: REL/Reuters

Mustafa kritikon bordin e AKP-së për emërimin e drejtorit menaxhues

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar rreth zgjedhjes së drejtorit menaxhues të Agjencisë së Privatizimit.

Ai përmes rrjetit social Facebook, ka thënë se bordi i Drejtorëve të AKP-së zgjodhi për drejtor menaxhues sekretarin organizativ të AAK-së edhe pas reagimit të tyre karshi tij se “AKP-ja nuk është agjenci qeveritare dhe as politike, por është institucion i Kuvendit, mbikëqyret nga Kuvendi dhe i raporton Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

“A nuk patët kandidat tjetër përveç sekretarit organizativ në AAK-së për drejtor menaxhues. A u detyruan, juve “të institucionit të pavarur” ta shkarkoni drejtorin e mëparshëm pak pa i kaluar mandati, për ta zgjedhur ish zyrtarin e AAK-së?? A e ndjeni edhe më tutje veten se jeni të pavarur si institucion apo jeni strukë nga frika se edhe juve ua vejnë ndonjë taksë.”, ka shkruar ai.

Tutje në reagimin e Mustafës thuhet se përveç AKP-së, edhe Kuvendi i Kosovës duhet të jap përgjegjësi për lejimin e politizimit të agjencive të saj dhe kapjes nga interesat e drejtpërdrejta partiake.

“Veprimet e tilla konsideroj se janë të dëmshme, ato bëhen për interesa klienteliste të Qeverisë dhe AAK-së, çmimin e të cilave e paguan shteti i Kosovës dhe qytetarët e Kosovës.”, përfundon ai.