Mustafa: 33 Mijë Veteranët do t’i Marrin Pensionet

Në mbledhjen e sotme të qeverisë në largim, kryeministri në detyrë Isa Mustafa prmtoi që veteranët do të marrin pensionet e gushtit, edhe pse nuk tregoi se si do të bëhet kjo.

“Ata nuk janë fajtorë për situatën që kemi ardhë. Do t’i shohim të gjitha mundësitë dhe rrugët ligjore që të shohim. Një gjë është e sigurt, ata pensionet do t’i marrim por vetëm mund të shtyhet pagesa e këtyre institucioneve, por ne shprehim keqardhje për këtë që po ndodhë”, tha kryeministri në largim Isa Mustafa.

Më shumë se 33 mijë veteranë nuk i kanë marrë pensionet e muajit gusht, ngase nuk është bërë rishikimi i buxhetit, pasi ende nuk janë krijuara institucionet e dala nga zgjedhjet e 11 qershorit.

Ministri në detyrë  i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Safet Kamberi tha se kjo ministri nuk i ka 4 milionë euro me të cilat është dashur të paguhen veteranët.

“Për muajin gusht shuma e pensioneve arrin 5 milionë e 784 mijë e 666 euro, atëherë del që kemi mungesë të shumës prej mbi 4 milion euro për muajin gusht. Janë 33 mijë 141 veteranë që nuk i kanë marrë pensionet e muajit gusht”, tha në mes tjerash ministri Kamberi.

Ministri në detyrë tregoi se shuma e ndarë për pensione thuajse tërësisht është harxhuar në periudhën janar-korrik 2017.

“Buxheti I ndarë për pagesën e pensionisteve për këtë kategori, të veteranëve për vitin 2017 ka qenë rreth 38 milionë euro. Nga kjo shumë, në periudhën  janar-korrik janë bërë pagesat e pensioneve me shumë prej 36.3 milionë euro”, tha ministri në detyrë Safet Kamberi.