Seanca e shtyrë ndaj Murat Mehës dhe të tjerëve

Murat Meha në Holandë-Shtyhet Gjykimi i tij

Seanca e gjykimit të Murat Mehës, Ismet Kryeziut e Nemanja Spasiqit e paraparë për sot nuk është zhvilluar, ngase i pranishëm ishte vetëm gjyqtari Shasivar Hoti.

Hoti tregoi në gjykatë se pasi kishte caktuar seancën për sot, kishte pranuar një kërkesë nga Murat Meha për shtyrje të saj.

Meha, sipas Hotit, kishte kërkuar shtyrjen e seancës me arsyetimin se në ditën e sotme e ka një takim në Holandë.

Pas këtij njoftimi, gjyqtari Hoti seancën që nuk u mbajt sot e shtyu më 17 maj.

Në seancën e sotme munguan edhe të akuzuarit tjerë të këtij procesi-Ismet Kryeziu e Nemanja Spasiq, ndërsa nuk kishte as prokuror.

Prokurore e këtij gjykimi ishte caktuar Fikrije Fejzullahu, por ajo ka kaluar me punë në Prokurorinë Speciale, ndërsa për caktimin e një prokurori tjetër gjyqtari Hoti duhet ta kontaktojë kryeprokurorin.

Murat Meha, Ismet Kryeziu e Nemanja Spasiq akuzohen nga Prokuroria në Prishtinë për keqpërdorim detyre.

Sipas aktakuzës, Meha në cilësinë e kryeshefit të përgjithshëm të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Ismet Kryeziu si drejtor i Drejtoratit Ligjor në këtë agjenci e kanë penguar të dëmtuarën ShPK “Marigona Residence” në ushtrimin e veprimtarisë së saj, duke e vënë në pozitë të pabarabartë në raport me ligjin e zbatueshëm.

Aktakuza sqaron se Meha e Kryeziu nuk e lejuan “ShPK “Marigona Residence” që sipas ligjit ta regjistrojë të drejtën e bartjes së pronësisë në regjistrin kadastral.

Prokuroria pretendon se Murat Meha e Ismet Kryeziu moslejimin e regjistrimit të bartjes së pronësisë e kishin bërë duke e obliguar të pandehurin Nemanja Spasiq, shefin e Zyrës Kadastrale në Graçanicë që të veprojë në bazë të një mendimi profesional të datës 21 janar të vitit 2015.

Ky mendim, që në aktakuzë konsiderohet i nxjerrë në kundërshtim me ligjin, sipas aktakuzës, ia ka cenuar të dëmtuarës “Marigona Residence” barazinë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.