Gjykimi i anëtarëve të dyshuar të organizatës "Syri i Popullit" - Foto: KALLXO.com

Murat Jashari flet për miqësinë me Ramiz Kelmendin e Fatmir Limajn

Në gjykimin ndaj të akuzuarve për pjesëmarrje në organizatën “Syri i Popullit”, në cilësi të dëshmitarëve janë ftuar deputetë të Kuvendit të Kosovës e personalitete të tjera të njohura.

Si dëshmitarë të ftuar ishin Adem Grabovci, Albulena Haxhiu, Shaip Muja, Nuredin Ibishi, Muhamet Kelmendi, Mazllum Baraliu, Berat Buzhala, Ilmi Reqica e Bajrush Morina.

Mirëpo, nga këta persona të ftuar nga Gjykata me kërkesë të prokurorit të Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, në sallën e gjyqit nuk u panë Adem Grabovci, Berat Buzhala, Ilmi Reqica e Bajrush Morina.

Nga dëshmitarët e tjerë që i ishin përgjigjur pozitivisht ftesës së Gjykatës dhe të cilët e dhanë dëshminë e tyre para të pranishmëve dhe përballë trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica dhe dy anëtarët e tjerë të trupit gjykues, Valbona Musliu-Selimaj dhe Vesel Ismajli, këta dëshmitarë i mohuan pretendimet se kanë qenë të kërcënuar ndonjëherë në ndonjë mënyrë nga anëtarë të organizatës “Syri i Popullit” apo drejtpërdrejt nga ndonjëri nga të akuzuarit.

Të gjithë dëshmitarët të cilët dëshmuan në seancën e sotme shprehën habi se pse Gjykata kishte vendosur që t’i ftojë ata që të dëshmojnë në lidhje me këtë rast, kjo për faktin se sipas deklaratave të tyre asnjëri nga ta nuk ka dijeni në lidhje me organizatën e pretenduar kriminale “Syri i Popullit”.

Madje dëshmitari Muhamet Kelmendi posa u ftua të dëshmonte iu drejtua Gjykatës me fjalët: “Unë nuk e di arsyen se pse jam thirrur këtu”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Sylë Hoxha, Kelmendi tha se nuk e njeh asnjërin nga të akuzuarit përpos Murat Jasharin.

Ai deklaroi se për organizatën “Syri i Popullit” ka dëgjuar përmes mediave ndërsa në lidhje me një listë të pyetjeve të cilat sipas Prokurorisë i akuzuari Murat Jashari i kishte dërguar personaliteteve të njohura, dëshmitari tha se asnjë person nga organizata “Syri i Popullit” nuk e ka kontaktuar asnjëherë me qëllim të intervistimit të përfaqësuesve të lartë në Republikën e Kosovës.

Edhe dëshmitari tjetër, ish-deputeti i PDK-së Shaip Muja, tha se për organizatën “Syri i Popullit” ka dëgjuar vetëm përmes mediave.

Muja mohoi të ketë qenë ndonjëherë i kërcënuar ai apo ndonjëri nga familjarët e tij nga organizata “Syri i Popullit”, apo nga ndonjë anëtar i pretenduar i kësaj organizate.

Për faktin se emri i ish-deputetit Shaip Muja si dhe i vëllezërve të tij ka qenë në listën e emrave të caktuar për likuidim nga organizata “Syri i Popullit”, Muja tha se nuk e ndjen veten të kërcënuar.

“Unë nuk e ndjej që jam i kërcënuar, e kanë të qartë edhe Prokuroria dhe hetuesit që e kam refuzuar çdo formë të sigurisë pasi që nuk kam vërejtur dhe nuk besoj se këta persona që gjinden në listë mund të çojnë dorë kundrejt disa njerëzve. As nuk mund ta besoj as nuk po e besoj”, deklaroi Muja.

Edhe dëshmitari tjetër, Nuredin Ibishi, deklaroi se për organizatën në fjalë kishte dëgjuar nga portalet pas tentim-vrasjes së Azem Vllasit duke shtuar se asnjëherë nuk ka pasur ndonjë kërcënim nga kjo organizatë.

Ndërsa në lidhje me një grua të quajtur “Mona”, Ibishi tha se e njëjta kishte qenë studente në kolegjin “ISPE”, aty ku ai ligjëron dhe se e ka njohur aty si studente por që nuk ka pasur ndonjë kontakt tjetër me të.

Ndërsa deputetja Albulena Haxhiu duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit ka deklaruar se nga të akuzuarit e njeh vetëm bashkëpartiakun e saj, Sadri Ramabajën, kurse për organizatën “Syri i Popullit” tha se ka dëgjuar vetëm në media.

E pyetur nga prokurori Sylë Hoxha nëse e njëjta kishte qenë ndonjëherë e kontaktuar nga anëtarë të kësaj organizate me qëllim të delegimit të ndonjë detyre, ajo tha se asnjëherë nuk ka qenë pjesë e asnjë organizate tjetër pos Lëvizjes Vetëvendosje, pjesë e së cilës është momentalisht.

“Unë jam anëtare, aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje që nga viti 2010. Asnjëherë në jetën time nuk kam qenë pjesë e ndonjë organizate tjetër. Që nga 2010 kam qenë në Vetëvendosje dhe vazhdoj të jem aty”, u përgjigj Haxhiu.

Prokurori Sylë Hoxha më tej deklaroi se Albulena Haxhiun e ka ftuar në cilësi të dëshmitares, pasi që asaj kjo organizatë i ka ndarë disa detyra për të cilat Haxhiu ka deklaruar më herët në deklaratat e saj të mëparshme se nuk ka qenë në dijeni.

Lidhur me arsyen e ftesës së deputetes Albulena Haxhiu si dhe të tjerëve pati vërejtje avokati i të akuzuarit Sadri Ramabaja, Ramiz Krasniqi.

“Ligji është shumë i qartë. Dëshmitarët ftohen vetëm për gjërat që i kanë ditur ose i kanë parë dhe asnjëra nga këto sipas dëshmitares nuk qëndron. Jam i bindur se prokurori me dëshmitarë të tillë këtë aktakuzë të pabazë po e mbështet vetëm në emra”, tha avokati Krasniqi.

E për arsyen pse emri i saj është gjendur në listën e organizatës ‘Syri i Popullit”, në bazë të së cilës listë ajo ka qenë e ngarkuar me disa detyra të cilat është dashur t’i kryejë në emër të organizatës, deputetja Haxhiu tha se nuk e di se kush mund ta ketë përdorur emrin e saj.

“Asnjëherë në jetë time nuk kam qenë e kontaktuar nga një organizatë e tillë. Unë jam person publik dhe nuk mund ta di se kush si e përdor emrin tim. Unë kam dhënë deklaratë në polici dhe kam besuar se çdo gjë do të përfundojë aty. Edhe për t`u caktuar dëshmitar duhet të plotësohen disa kritere. Është absurde, e papranueshme”, deklaroi Haxhiu.

Edhe dëshmitari tjetër, Mazllum Baraliu, deklaroi se përpos Sadri Ramabajës të akuzuarit e tjerë nuk i njeh dhe lidhur me pyetjen e prokurorit nëse Baraliu kishte kontaktuar ndonjëherë me ndonjërin nga të akuzuarit përmes telefonit apo në ndonjë formë tjetër, Baraliu tha se ai asnjëherë nuk ka kontaktuar me asnjë nga të akuzuarit.

“Jo për besë as përmes telefonit as me shkrim por ndoshta në ndonjë formë irracionale, imagjinatave që dikush ka mundur ta mendojë… Thash më parë se asnjë njohuri as ndonjë kontakt direkt apo indirekt nuk kam pasur me këtë organizatë”, u shpreh Baraliu.

Ai madje e quajti absurd faktin se pse ishte ftuar që dëshmonte në këtë proces gjyqësor pasi që tha se nuk ka asnjë informatë apo dijeni lidhur me aktivitetet e kësaj organizate e që do të mund të ndihmonte në zbardhjen e këtij procesi gjyqësor.

Lidhur me emrat e personaliteteve të cilët janë gjetur në listat e përpiluara nga organizata “Syri i Popullit”, disa nga të cilët Prokuroria i kishte ftuar në cilësi të dëshmitarëve, pati reagime nga i akuzuari Murat Jashari.

Jashari tha se lista me emra të cilën e ka përpiluar ai nuk ka përmbajtur disa emra të disa personaliteteve të cilët i ka ftuar Prokuroria për të dëshmuar. Sipas tij, “Prokuroria e ka fryrë këtë listë”.

“Listën që e kam bë unë e ka fry Prokuroria. Albulena Haxhiu, ky zotëria që është këtu, Berat Buzhalën, Fatmir Limaj, Halil Matoshin, Behgjet Pacolli, Ramiz Kelmendi e të tjerët. Këta të gjithë i kam miq shpije, nuk ka pasë nevojë me i ftu Prokuroria këta dëshmitarë”, u shpreh Murat Jashari.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 10 personave në lidhje me këtë rast më 28 shkurt.

Pjesë e aktakuzë janë  vepra penale  duke filluar nga hakmarrja, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

KALLXO.com e kishte siguruar aktakuzën ndaj të akuzuarve si pjesëtarë të “Syrit të Popullit”.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast.