Gjykimi për mashtrim | Foto: KALLXO.com

Mungon Prokurorja, Shtyhet Gjykimi për Mashtrim

Në gjykimin e Enver Zhjeqit, të akuzuarit për mashtrim nuk u paraqit prokurorja Javorka Prlinçeviq.

Enver Zhjeqi akuzohet se nga shkurti i 2012-ës deri në shkurt 2013 në Prishtinë, me qëllim që të përvetësojë sende të huaja dhe të përfitojë materialisht e ka mashtruar familjen e Burim Rekës.

Me fillim të seancës gjyqësore kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri konstatoi se prokurorja Javorka Prlinçeviq nuk është e pranishme.

“Mungesën e prokurores e ka arsyetuar Kryeprokurori Beka, dhe duke pasur parasysh ndjeshmërinë e lëndës nuk ka pasur mundësi që të caktohet një prokuror zëvendësues”, tha kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri.

Kurse prezent në gjykatë ishte i akuzuari Enver Zhjeqi për të cilin gjykata kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me dhunë, pasi që i njëjti në seancën e kaluar nuk ishte paraqitur pranë gjykatës, duke u bërë kështu shkak për mosmbajtje të seancës së kaluar gjyqësore.

http://kallxo.com/mungon-akuzuari-per-paraqitje-te-rreme-si-zyrtar/

Pas konstatimit të mungesës së prokurores, në mungesë të kushteve për mbajtje të seancës gjyqësore, gjyqtarja Gërguri mori aktvendim që seanca të shtyhej për datën 29 gusht.

Sipas aktakuzës, Enver Zhjeqi është prezantuar si person ndërlidhës i investitorëve “M&R Invest” dhe ka nënshkruar kontratë me kompaninë “inTECH”, me qëllim të pjesëmarrjes, bashkëpunimit, zhvillimit dhe realizimit të projektit të banimit kolektiv në Lagjen Tophane të Prishtinës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas kontaktit me familjen e Burim Rekës, i akuzuari ka shprehur interesim që të jetë pjesë e projektit me investitorët “M&R Invest”, ku të njëjtëve u ka thënë së mund t’ua rregullojë lejen e ndërtimit në afat shumë të shkurtër, për shkak të qasjes si zyrtar i komunës, edhe pse nuk ishte zyrtar komunal.

Në aktakuzë thuhet se Enver Zhjeqi ka përfituar nga familja Reka 59,590 euro.

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/aktakuza-zyrtari-rreme-komunes-perfitoi-53-590-euro/