Foto: Kallxo.com

Mungon ndëshkimi për krimet kundër gazetarëve

Kërcënimet dhe sulmet fizike kanë arritur në 28 raste të raportuara gjatë këtij viti. Mirëpo, gazetarët thonë se mungon dënimi i personave që e kërcënojnë punën e tyre dhe integritetin e tyre. Kjo u tha gjatë diskutimit të OSBE-së për përpjekjet e institucioneve të drejtësisë në trajtimin e rasteve të sulmuesve të gazetarëve.

Jelena Markoviq, “nga Radio Kontakt Plus” nga Mitrovica veriore, tha se kërcënimet e gazetarëve vazhdojnë të jenë pak tw trajtuara nga institucionet e drejtësisë.

“Ne jemi të njoftuar për këto probleme kur e dimë ndëshkueshmërinë apo mosndëshkueshmërinë e tyre”, u shpreh ajo.

Markoviq kujtoi për puna në hetimin të vrasjeve të gazetarëve është lëshuar edhe një rezolutë nga një federatë europiane.

“Natyrisht nuk është mjaftueshme sepse Federata Europiane e ka miratuar një rezolutë për hetimin e vrasjeve të gazetarëve”, tha ajo duke iu referuar thirrjes së federatës që Gjykata Speciale të merret me hetimin e rasteve të gazetarëve të zhdukur e të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Markoviq tha se kërcënimet e sulmet ndaj gazetarëve harrohen shpejt nga publiku.

“Njerëzit kanë kujtesën sikur peshku i artë dhe të gjithë harrojnë (krimet kundër gazetarëve), e i hedhin prapa krahëve”, u shpreh ajo.

Prokurori koordinator për hetimin e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, Bashkim Zeqaj, tha se prokuroria ka punuar në zbardhjen e rasteve.

“Gjatë vitit 2017 kemi pasur raste kur edhe vetë të dëmtuarit (gazetarët) i kemi vizituar, madje unë personalisht e kam vizituar edhe në spital, e kemi trajtuar rastin dhe ka përfunduar me aktakuzë”, tha ai.

Zeqaj shtoi se prokuroria është duke i përcjellë me shpejtësi rastet.

“Në mënyrë të vazhdueshme jemi duke i përcjellë këto raste dhe në momentin kur ndodh një rast ku objekti i sulmit apo kanosjes është gazetari, prokurori kompetent menjëherë njoftohet nga ana e policisë”, tha ai.

Duke folur për rezultatet ai deklaroi se numri i aktakuzave të ngritura ka qenë i kënaqshëm.

“Rastet të cilat i kemi pasur në punë i kemi trajtuar duke përfunduar me aktakuza(në shumicën e rasteve)…”, tha ai.

Ndërsa, Veran Matiq, kryesues i Komisionit për hetimin e vrasjeve të gazetarëve në Serbi, po ashtu theksoi se mungesa e dënimeve të formës së prerë shkakton probleme për punëtorët medialë të kërcënuar.

“Një rast i pandëshkueshmërisë krijon edhe 2 apo 3 probleme të tjera”, u shpreh ai.

Matiq foli po ashtu edhe për punën e Komisionit që ai e drejton dhe propozoi që edhe Kosova ta themelojë një komision të tillë.

“Është me rëndësi të bëhen përpjekje ngjashëm me atë që e kemi bërë në Serbi. Situata është aq komplekse saqë duhet një organ që do të ketë autoritet dhe kredibilitet e ekpertizë… për ta ndalur pandëshkueshmërinë”, u shpreh ai.

https://kallxo.com/osbe-me-fushate-ne-mbrojtje-te-gazetareve/

Kryesuesi i komisionit tregoi se komisioni është themeluar me ndihmën e Qeverisë. Pasi që komisioni, sipas tij, ka bashkëpunim të ngushtë me kreun e policisë, ka pasur edhe ekip profesional hetimor me përvojë paraprake në hetimin e vrasjeve të gazetarëve. Po ashtu, para këtij komisioni raporton edhe prokurori përgjegjës.

Ai tha se gazetarët hulumtues janë duke u përballur me terren të vështirë në Serbi.

“Gazetarët hulumtues po largohen nga mediat ose po shkojnë në grupe të produksionit ose po shkojnë jashtë vendit”, u shpreh ai.

Matiq tha se parandalimi është pika me rëndësi për shkak se, siç tha ai, “vrasja e gazetarëve do të jetë forma më e lehtë më e lirë e censurës nëse nuk ndëshkohen kryesit”.

Ndërsa, majori Baki Kelani, tha se policia po përpiqet me bashkëpunim të mirë me gazetarët në të gjitha sferat, pa u kufizuar në fushën e sigurisë.

“Edhe vetë Zyra e Mediave që e kemi si në nivel rajonal, po ashtu në nivel qendror kemi mbajtur kontakte direkte me gazetarët, kështu që gazetarët janë ndjerë aq bashkëpunëtorë me ne saqë e kanë lajmëruar direkt zyrën tonë”, u shpreh ai.

Labinot Leposhtica, koordinator i zyrës ligjore në BIRN tha se institucionet e drejtësisë mund t’i japin kualifikime të tjera veprave që kanë të bëjnë me kërcënimin e gazetarëve për punën e gazetarëve.

“Ka pasur vend në disa raste ku vepra kanë mundur të cilësoheshin juridikisht me paragrafe të caktuara që parashohin dënime më të larta… Kemi parë raste ku ka pasur vend, nga këndvështrimi jonë, për kualifikime më të rënda juridike për kryesit e veprave”, tha ai duke iu referuar dënimeve me gjobë dhe atyre me burg.

Leposhtica tha se kanosja e gazetarëve mund të lidhet shpeshherë edhe me veprën penale të detyrimit ndërsa shtoi se mund të përdoren masa edhe më të larta të sigurisë për kryesit e dyshuar të veprave penale ndaj gazetarëve.

“Është shumë me rëndësi që të kërkohet masa më e rëndë e sigurisë që është paraburgimi… Sepse një person i cili e sulmon dikë me thikë në vendin e punës nuk mund të lihet, sipas këndvështrimit tim, në arrest shtëpiak e aq më tepër që të lirohet deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit”, u shpreh ai.